Është shumë e lehtë ta gjesh Ornela Çaushajn kur vjen pranvera. Zonja e apasionuar pas qendisjes, mezi pret të vijnë trendet e reja të vitit, për të parë se çfarë mund të bëjë për të dekoruar shtëpinë e saj.

Majlinda Gurra, e zonja e këtij dyqani që ofron ide për qendisje, tregon se Ornela është një ndër të shumtat kliente, që janë të interesuara për trendet e verës.

“Me mbërritjen e katalogut të 2015-s, vijnë edhe idetë e reja për pranverën dhe verën. Kjo i bën gratë të ndjeshme për shtëpitë e tyre, që të zgjedhin modelet që u përshtaten dhe shkojnë bukur me arredimin e shtëpive. Një nga këto është edhe Ornela, shumë punëtore dhe me shumë fantazi e shije”, thotë Majlinda.

Megjithëse ekziston mundësia financiare edhe për t’i blerë të gatshme, Ornela e ka pasion ta dekorojë me duart e veta shtëpinë dhe, në fakt, në çdo mur është prekja e saj. Edhe pse shumë e paragjykojnë qendisjen, si një traditë të vjetër, në fakt idetë e reja e kanë kthyer në trend për ato që e praktikojnë. Aq më tepër kur bëhet fjalë për ta përshtatur me arredimin e shtëpisë.

“Zgjedhin mbulesa të vogla çaji, jastëkët e bukur, por edhe gjëra shumë të vogla, që kanë shumë efekt në shtëpitë e tyre”, thotë më tej Majlinda.

Ornela sapo bleu fijet e fundit. Me to do qëndisë peshqirët e pranverës. Sepse në shtëpinë e saj, pranvera vjen nga vrima e gjilpërës.

Top Channel