Halim Kosova takon prindër dhe tregtarë

28/04/2015 00:00

Kandidati demokrat për Bashkinë e Tiranës, Halim Kosova u takua me prindër që kanë fëmijët në çerdhe, dhe ndau me ta ide dhe përvoja sesi mund të përmirësohet ky shërbim jetik për fëmijët.

Kosova tha se investimi tek cilësia e shërbimit dhe edukimit të fëmijëve në çerdhe është investim për të ardhmen e komunitetit dhe të qytetit.

“Të gjithë së bashku do bëjmë më të mirën. Ju me syrin kritik që çfarë duhet të përmirësohet dhe ne me detyrimin moral, por edhe ligjor, për të bërë më të mirën; të çojmë në drejtimin e duhur edukimin e këtyre fëmijëve dhe mirërritjen e tyre drejt rrugës, e cila, unë gjithmonë e them, është një rrugëtim pafund. Po bëmë më të mirën për qytetin kemi investuar për të ardhmen dhe fëmijët janë e ardhmja e këtij qyteti. Kështu që thjeshtë le të bëjmë më të mirën për ta, sepse nga ata varet dhe e ardhmja e shoqërisë, e familjes”, u shpreh Kosova.

Kandidati për kryebashkiak theksoi rëndësinë e ruajtjes së komunikimit mes Bashkisë dhe qytetarëve për çështjet më të rëndësishme.

“Ideja ime kjo është: si të krijojmë në Bashkinë e ardhshme të Tiranës mundësi që çdo grup interesi të ketë mundësinë të përcjellë mendimet, në mënyrë që ta bëjmë patjetër një lidhje me qytetarin dhe me të gjitha nevojat e tij në të gjitha aspektet e jetës”, tha ai.

Halim Kosova u takua edhe me tregtarë në një nga tregjet e kryeqytetit, ku shqetësimi i parë i shprehur prej tyre ishte rënia e fuqisë blerëse dhe e mbylljes së bizneseve. Mbështetja e biznesit nëpërmjet taksave të ulta, menaxhimi i duhur dhe transparenca në përdorimin e fondeve do të jenë shtylla kryesore të programit të tij.

Top Channel