ANDREA STEFANI – Disa dhjetëra protestues dalin çdo ditë para zyrave të
Kuvendit për të kërkuar dorëheqjen e Ilir Metës. Kush janë këta? Duke
lënë mënjanë alibitë apo truket propagandistike, themi se ata janë
simpatizantë të PD, deri edhe fanatikë të saj, që janë komanduar nga
çifti Basha-Berisha të bëjnë një ritual të tillë.

Nuk mendojmë se kjo protestë është rrjedhojë e ndonjë refleksioni qytetar apo devocioni kundër krimit dhe korrupsionit. Sepse po të qe kështu, do kishin protestuar për largimin e Metës ca vite më parë kur shpërtheu videoskandali “Prifti”. Por në atë kohë e mbrojtën Metën, kundër çdolloj arsyeje, se ashtu i leverdiste pushtetit të Berishës dhe Bashës. Edhe sot dalin të kërkojnë largimin e Metës përsëri, sepse kështu u shkon për shtat llogarive të çiftit Berisha-Basha për t’u rikthyer në pushtet. Pra nuk janë qytetarë, por automatë që protestojnë jo me kokën e tyre, por me urdhër partie. Dhe janë ca si këta automatë që na akuzojnë ne, që dikur kemi kërkuar largimin e Metës, se “e kemi dredhur” për interes të Ramës, duke mbrojtur sot Metën, atë që e kemi sulmuar dje. Një analizë e fakteve tregon se kemi zgjedhur të keqen më të vogël kundër një të keqeje më e madhe që mbetet ende një kërcënim.

***

Ka qenë një dilemë e madhe ajo e aleancës PS-LSI, por që rëndom quhet Rama-Meta, dhe që çoi në rrëzimin e Berishës më 23 qershor. Edhe sot ka njerëz në të majtë që mendojnë se ajo aleancë nuk duhej bërë, që fitorja të ishte edhe më e pastër nga ana morale. Por është ndryshe të flasësh sot, afër 2 vjet “pas të vjelash”, dhe ndryshe në atë kohë kur Berisha tentonte të merrte një mandat të tretë radhazi duke rrezikuar seriozisht projektin për një demokraci liberale në Shqipëri. Dhe shumë indicie flisnin se pa një aleancë me LSI, zgjedhjet fitoheshin me diferencë shumë të ngushtë nga PS, por diferencë që nuk do qe e vështirë të gllabërohej nga pushteti autokratik berishist për t’u shndërruar në humbje për të majtën. Shkurt, pushteti nuk mund të ndërrohej me votë, pa bërë “aleancën e qelbësirave” për të cilën, përkundër skrupujve moralë që shfaqën disa, bëri thirrje Mustafa Nano dhe që sot, risillet si provë kalbëzimi moral nga propaganda e PD. E vërteta është se qeverisja e PD ishte jo vetëm autokratike deri në vrasje qytetarësh, por edhe e qelbur fund e krye nga korrupsioni dhe se duke u larguar nga ajo, LSI dhe Meta bënë një hap në favor të liberal-demokracisë.

 

***

Për t’iu larguar një apelacioni “të qelbur”, por i nxitur nga i njëjti gjykim për rrezikun parësor të autokratizmit, në atë kohë bëra një tjetër përqasje nga ajo e Mustafait, e quajta aleancën e PS me LSI të domosdoshme si aleanca e dikurshme e anglo-amerikanëve me tiranin Stalin kundër Hitlerit. Më dukej më realiste kjo përqasje duke e përkufizuar aleancë jo me qelbësirat (pandëshkueshmëria e korrupsionit ka akumuluar qelbësirllëk në të gjithë krahët e politikës) por me një të keqe më të vogël kundër një të keqeje shumë më të madhe, që ishte konsolidimi i berishizmit në një pushtet autokratik afatgjatë dhe sigurisht varrosës për demokracinë dhe lirinë. Nuk duhet harruar që Berisha kishte nisur të fliste në atë kohë për një qeverisje që do zgjaste përtej 2017-s. Pra kam folur për një kompromis historik me një të keqe më të vogël kundër një të keqeje më të madhe që edhe pse ka kaluar në opozitë, nuk është mposhtur përfundimisht. Prandaj dhe aleanca “me Stalinin” duhet të vazhdojë.

 

***

Videoskandali i Metës ishte pa dyshim denoncimi i një tentative korrupsioni. Por në kushtet e ekzistencës së njëkohshme, korrupsioni është për demokracinë një rrezik shumë herë më i vogël krahasuar me autokratizmin që nga ana e vet, duke fuqizuar një pushtet absolut nuk mund të mos korruptojë absolutisht pra, edhe më keq. Por le t’ia lëmë fjalën një filozofi të shquar amerikan të kohës sonë, Noam Chomski-t, lidhur me rrezikshmërinë më të madhe të autokratizmit në krahasim me korrupsionin. Në një intervistë të tij Chomski thotë:

“Ndërsa ecim drejt një shoqërie optimale nga këndvështrimi i klasave të biznesit – që do të thotë se çdo individ është një atom… kështu që nuk mund të zhvillojë mendimin dhe veprimin e pavarur… njerëzit tjetërsohen rrënjësisht dhe mund të urrejnë atë që po ndodh, por nuk kanë rrugë për ta shprehur këtë urrejtje në mënyrë ndërtimtare. Dhe nëse shfaqet një lider karizmatik, ata fare mirë mund ta ndjekin. Unë mendoj se SHBA është me shumë fat që kjo nuk ka ndodhur. Kjo është dhe arsyeja pse jam kaq shumë në favor të korrupsionit… Do të preferoja më shumë një lider të korruptuar sesa një lider të etur për pushtet. Një lider i korruptuar do të grabisë popullin, por nuk do shkaktojë aq shumë problem. Për shembull, për sa kohë predikuesit fondamentalistë… janë të interesuar për kadillakë, seks dhe gjëra të këtij lloji, nuk janë problem i madh. Por mendoni sikur të shfaqet njëri nga ata që është Hitler dhe që nuk e vret shumë për seks dhe kadillakë, por do vetëm pushtet… nëse shfaqet një Hitler, atëherë ne do jemi në telash të vërtetë…”, kështu shkruan Chomski. Dhe ne, në Shqipëri, kemi edhe automatët edhe liderin autokrat në qarkullim. Prandaj ka 25 vjet që jemi në telash të vërtetë!

 

***

Çdo të thotë kjo që cituam? Aspak se korrupsioni është i mirë. Ai është një e keqe që duhet luftuar. Por në prezencë të një lideri karizmatik, të një Hitleri me kult absolut vrasës për demokracinë, e keqja e korrupsionit relativizohet dhe përparësia e luftës duhet drejtuar kundër autokratizmit. Aq më pak duhet të të shkojë në mendje të tentosh të bësh pakt me autokratin kundër korrupsionit! Nuk duhet përsëritur gabimi fatal që shqiptarët, të këshilluar keq edhe nga disa ndërkombëtarë, bënë në vitin 2005 kur, në emër të gjoja luftës kundër korrupsionit, risollën në pushtet autokratin Berisha (mjaft me gënjeshtrën që s’e besojnë as vetë ata që e përhapin se gjoja ka ikur) që do luftonte korrupsionin me dorë të fortë. Dhe çfarë rezultoi pas 8 vjetësh të qeverisjes së Berishës? Një Shqipëri edhe më e korruptuar edhe më e kriminalizuar. Në fund të ditës, autokratizmi jo vetëm s’të shpëton nga korrupsioni, por e bën atë sundues. Ironia është se autokrati, tashmë në opozitë, po i paprekur nga një pushtet drejtësie që vetë e ka tredhur dhe degraduar, po ulërin për luftë kundër krimit dhe korrupsionit të mbjellë gjatë qeverisjes së tij! Kësaj i thonë të mbjellësh korrupsion dhe krim dhe pastaj të korrësh edhe frytet politike nga krimi dhe korrupsioni! A duhet lejuar që Shqipëria të kthehet prapa, si në vigjilje të vitit 2005?

 

***

Jo pak ironik, në gjithë këtë odise, është fakti se ata që përgatitën rrethanat për paktin PS-LSI nuk qemë ne që kërkuam largimin e Metës kur ndodhi videoskandali, por vetë Berisha dhe pushteti i tij që e mbrojtën atë, duke vënë në lëvizje deri edhe gjykata të manipuluara nga pushteti i tyre autokratik. Duke e pastruar Metën deri me vendim gjykate 5 me 0, Berisha dhe Basha i krijuan PS dhe Ramës jo vetëm domosdoshmërinë, por edhe rrethanën lehtësuese për kompromisin që do t’i rrëzonte nga pushteti. Kompromisi PS-LSI quhet real politikë, si ajo e anglo-amerikanëve me Stalinin kundër Hitlerit, ndërsa ajo që kanë bërë Berisha dhe Basha për të mbajtur në këmbë paktin qeverisës PD-LSI, qe një manipulim autokratik me pushtetin e drejtësisë që është fundi i demokracisë liberale.

Top Channel