Mbahet protesta e opozitës, Basha: Në rrugë derisa të rrëzohet qeveria

12/03/2015 00:00

Me protestën nga sheshi Skëndërbej tek bulevardi para Kryeministrisë, demokratët besojnë se u kanë prishur qetësinë drejtuesve më të lartë të qeverisë. Protesta e paralajmëruar u zhvillua pas seancës shumë të shkurtër të Kuvendit.

“Shqipëria e pa, bota e pa, të gjithë e panë se pamja e bashkimit të shqiptarëve sot në këtë shesh mbylli Parlamentin dhe pushoi Ilir Metën nga detyra e kryetarit të Kuvendit”, deklaroi Basha.

Edhe protesta e demokratëve ishte më e shkurtra e zhvilluar ndonjëherë nga opozita. Megjithatë, Lulzim Basha nuk kurseu përpjekjet për të ndezur protestuesit me kërkesën kryesore të opozitës, atë për largimin e qeverisë.

“Dëgjojeni bashkimin e shqiptarëve: Meta ik, Rama ik”, tha Basha, duke u kërkuar manifestuesve të bërtisnin gjithmonë e më fort.

Opozita e bën qeverinë përgjegjëse për përkeqësimin me ritme dramatike të gjendjes ekonomike dhe të sigurisë në vend.

“Ja ku jemi sot, kryetari i Parlamentit nën akuzë për vrasjen e dy deputetëve. Kryeministri bashkëpunëtor që ditën e parë me dijeninë e tij dhe ministri i Brendshëm korrier privat me vrasësit e ish-mikut të tyre superdeputet. Krerët e shtetit të ndarë se kujt do t’ia puthin dorën, don Metës apo don Ramës”, tha Basha.

Përveç dorëheqjes së kryetarit të Kuvendit, lideri i opozites kishte edhe një kërkesë për kreun e qeverisë. Një kërkesë që vështirë se depërton në grilat e mbyllura të zyrës së kryeministrit.

“I kërkojmë me një zë Edi Ramës të ndalë menjëherë trysninë brutale ndaj organit të akuzës, të mos bëjë më asnjë sekond kryeprokurorin dhe kryegjyqtarin për krimin makabër të denoncuar nga deputeti i tij më i afërt i ortakërive të ngushta politike, të japë llogari para drejtësisë dhe opinonit publik dhe të çojë ministrin e tij të Brendshëm për ndjekje penale, për mbajtjen të fshehtë për gjashtë muaj të këtij denoncimi të papreçedent monstruoz”, apeloi Basha.

Kreu i opozitës u premtoi shqiptarëve se protestat nuk do të ndalen deri në largimin e qeverisë.

“Ky bashkim i papreçedent që nga ditët e zjarrta të demokracisë është shenja e parë se qeveria Rama-Meta është rrëzuar moralisht. Edi Rama, mos bëj hesape me krimin, me bandat dhe me Ilir Metën. Bëj hesape me popullin, përndryshe shporru dhe ti”, vijoi Basha.

Protesta tjetër besohet se do të jetë më 22 mars, një ditë simbol e fitores së demokratëve.

Simpatizantët, nga rrethet me autobsë e furgonë drejt Tiranës

Që në orët e para të mëngjesit, mijëra simpatizantë të opozitës nga rrethet, të organizuar nga strukturat lokale të Partisë
Demokratike, së bashku me të
zgjedhurit lokalë udhëtuan drejt kryeqytetit.

Një pjesë e madhe e atyre që morën pjesë në protestë u nisën me autobusë dhe furgonë, ndërsa të tjerë me automjete personale. Organizimet u bënë në qendrat e qyteteve dhe stacionet e autobusëve, ku mbështetesit e PD iu përgjigjën thirrjes për protestë.

Siç kishte lajmëruar, policia kishte ngritur postoblloqe në të gjitha akset kryesore. Mjetet që transportonin pjesëmarrësit në protestë u kontrolluan nga policia rrugore dhe ajo e rendit, e më pas vijoi udhëtimi drejt kryeqytetit.

Fatmirësisht, nuk pati njoftime për të ndaluar apo të shoqëruar dhe as për incidente.

FOTO GALERI
2/13

Top Channel