Von der Leyen për hetimet në Shqipëri: Sistemi i drejtësisë është fuqizuar/ Rama: Përgjegjësia ime politike, reforma të mos ndalet

30/09/2026 19:08

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se hetimet ndaj çështjeve të ndryshme janë dëshmi se sistemi i drejtësisë po funksionon, ndërsa kryeministri Edi Rama tha se përgjegjësia e tij politike është vijimi i reformës në drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Gjatë diskutimit, von der Leyen u shpreh se zhvillimi i hetimeve tregon forcimin e sistemit dhe se proceset që po zhvillohen duhet të shihen si pjesë e funksionimit të tij.

Von der Leyen: Kur shohim çështje të cilat po hetohen, ato janë prova që sistemi po funksionon. Ky është fuqizimi i sistemit.

Nga ana e tij, kryeministri Edi Rama tha se përgjegjësia e tij politike është që reforma në drejtësi të vijojë.

Edi Rama: E përgjegjësisë politike është një histori, avaz, i përsëritur në pafundësi në mjedisin e diskutimit publik këtu dhe unë nuk pretendoj që t’ju bëj të ndryshoni. Përgjegjësia ime politike është 1 dhe vetëm 1, reforma në drejtësi të mos ndalet, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe të gjithë. Të zhvillohet si një mision i sistemit. Sepse kemi qenë në këtë vend, në moshën e mjaftueshme për të gjykuar individualisht, ku gjërat që shohim sot dhe ndodhin sot as nuk mund të imagjinoheshin.

Gjërat që ndodhin sot dikur nuk mund të imagjinoheshin, ky vendi që po flas nuk ka qenë në shekullin e kaluar, por deri para reformës në drejtësi. Nëse pyetja juaj nënkupton që për përgjegjësitë individuale të njërit apo tjetrit duhet të përgjigjemi si në komunizëm, atë sistem e kemi ndryshuar. Nëse ju mendoni se kur një emërim bëhet, i lind përgjegjësia atij që emëron si rezultati i faktit që i emëruari mund të bëjë gabime rrugës, është mënyrë e të pari si në komunizëm.

Detyra jonë është të japim llogari për gjithçka çfarë po bëjmë dhe kushdo që tradhton, duhet të përballet me anën tjetër të pushtetit, që është drejtësia. Kjo është demokracia. Në Francë ministri i drejtësisë u akuzua për pedofili, nuk u largua nga detyra. Presidenti vetëm ia la në dorë drejtësisë dhe më pas ministri doli i pafajshëm dhe qëndroi në detyrë. E sigurt është se askush nuk merret në mbrojtje kur vjen puna për tu përballur me pasojat e një veprimi që hyn në sferën e drejtësisë. Këtu nis dhe mbaron përgjegjësia ime politike.

Top Channel