Ukrainë, qetësi në lindje prej mesnatës. Poroshenko urdhëroi forcat qeveritare për armëpushim

15/02/2015 00:00

Bombardimet pushuan në mënyrë të menjëhershme gjatë mesnatës midis të shtunës dhe të dielës në qytetin ukrainas lindor të Donjeckut, pasi presidenti Petro Poroshenko urdhëroi forcat qeveritare të ndalnin të shtënat në vijën e frontit, me të hyrë në fuqi marrëveshja e armëpushimit që synon t’i japë fund konfliktit të përgjakshëm të vendit.

Poroshenko, i veshur me uniformën e komandantit suprem të Forcave të Armatosura, deklaroi përmes një konference televizive nga kryeqyteti Kiev, se ekziston ende gjendja e “alarmit” për situatën përreth qytetit Debaltseve, një kryqëzim kyç i transportit rrugor dhe hekurudhor, ku forcat qeveritare kanë qenë përherë nën presionin e rrethimit nga separatistët e mbështetur prej Rusisë.

Armëpushimi, i negociuar gjatë bisedimeve katërpalëshe gjatë së enjtes, parashikon krijimin e një “zone mbrojtëse” neutrale dhe tërheqjen e armatimeve të rënda, përgjegjëse për shumë prej 5000 viktimave në këtë konflikt, i cili ka shkaktuar edhe krizën më të ashpër mes marrëdhënieve Rusi-Perëndim që prej Luftës së Ftohtë.

Kievi dhe NATO kanë akuzuar prej kohësh Moskën për furnizimin e separatistëve prorusë në lindje të Ukrainës me armatime dhe ushtarë, ndërsa Uashingtoni dhe aleatët e tij perëndimorë kanë vendosur edhe një sërë sanksionesh ekonomike ndaj Rusisë. Presidenti rus Putin mohon që Moska të jetë përfshirë në luftimet për kontroll territori të asaj që ai vetë e quan “Rusia e Re”, pavarësisht se zyrtarë perëndimorë citojnë prova të shumta për të kundërtën.

Poroshenko paralajmëroi mbrëmjen e së shtunës se Ukraina nuk do të kthejë faqen tjetër, nëse merr ndonjë shuplakë. Megjithatë, i ulur në krah të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Viktor Muzhenko, ai shtoi se “shpresoj shumë që kjo mundësi e fundit për të filluar procesin e gjatë dhe të vështirë të një zgjidhjeje politike të mos shpërdorohet”.

“Hapin tim të parë po e hedh tani, duke urdhëruar Forcat e Armatosura të Ukrainës të ndalin të shtënat duke nisur nga 00:00 e 15 shkurtit”, tha Poroshenko.

Zëdhënësi ushtarak Vladyslav Selezynov tha se forcat ukrainase të armatosura përmbushën padiskutim urdhrin e Poroshenkos, ndaj dhe Donjecku ra në heshtje, ashtu sikurse edhe disa pjesë të tjera të lindjes së dominuar dhe kontrolluar nga separatistët.

Gjatë orëve të fundit përpara vendosjes së armëpushimit, artileritë e rënda dhe raketa të shumta hidheshin thuajse çdo pesë sekonda përreth Donjeckut, qyteti kryesor i rajonit lindor, i cili prej muajsh është vënë nën kontrollin e rebelëve.

Në Artemivsk, një qytet në territorin e kontrolluar nga Qeveria në veri të Debaltseve, i cili është goditur dy herë gjatë dy ditëve të fundit me raketa, është vendosur gjithashtu qetësia në mesnatë.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, kërkoi implementimin e armëpushimit në një bisedë telefonike me homologun e tij rus, Sergei Lavrov, si dhe shprehu shqetësim për përpjekjet e Rusisë dhe separatistëve për të shkëputur në orët e fundit Debaltseve-n, bëri të ditur Departamenti amerikan i Shtetit.

Ndërkohë, presidenti Barack Obama shprehu gjithashtu “shqetësim të thellë” për dhunën rreth qytetit të Debaltseve në një telefonatë të bërë me Poroshenkon, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Një anëtar i njësisë së forcave qeveritare në Horlivka, foli menjëherë për një televizion ukrainas pas mesnate, duke thënë se “ka rënë qetësia për rreth 30 minuta. Jemi në pritje pasi nuk u zëmë besë atyre. Përgjatë 3 ditëve të fundit, ata na kanë goditur ashpër”.

Obama foli gjithashtu me Kancelaren gjermane Angela Merkel, e cila ishte pjesë e negociatave të kësaj jave me udhëheqësit e Ukrainës, Rusisë dhe Francës, në Minsk të Bjellorusisë. Obama dhe Merkel “ranë dakord për nevojën e ushtrimit të presionit ndaj të gjitha palëve nënshkruese për të implementuar armëpushimin dhe marrëveshjet e protokollit të arritura në Minsk shtatorin e kaluar, e që u rikonfirmuan në planin e implementimit të Minskut këtë javë”, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Këshilli i Sigurisë me 15 anëtarë i Kombeve të Bashkuara ka nisur diskutimet e një projektrezolute ruse që do të mirëpriste marrëveshjen e armëpushimit që bën thirrje ndaj palëve ta implementojnë tërësisht atë. Diplomatët thonë se KS pritet të votojë gjatë së dielës këtë projektrezolutë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA