Vendet ku femrat janë më të pushtetshme

22/01/2015 00:00

Nëse mendoni se vendi më i mirë për një femër për të bërë karrierë, për të zotëruar apo drejtuar një biznes, janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar apo Gjermania, gaboheni!

Në fakt, vendet më mbështetëse dhe pozitive ndaj femrave, për habinë e shumë njerëzve, janë Xhamajka, Kolumbia dhe Santa Lucia, ku afërsisht 60% e bizneseve drejtohen nga gratë. Studimi i Organizatës Botërore të Punës ka listuar vendet, ku femrat kanë më shumë pushtet.

Po Shqipëria? Vendi ynë renditet i 93-ti.

Rreth 23 përqind e bizneseve në Shqipëri janë në pronësi apo drejtohen nga femra. Kosova me 15% renditet në vendin e 105-të.

Sipas studimit të ILO-s, vetëm një e treta e të gjithë bizneseve në botë janë në pronësi apo menaxhohen nga femrat. Dhe kjo shifër është për t’u festuar, pasi numri i femrave në menaxhim është në rritje të avancuar. Në rreth 80% të shteteve, proporcioni i femrave drejtuese është rritur ndjeshëm nga viti 2000.

Edhe pse tani femrat zotërojnë apo menaxhojnë biznese të mëdha në nivele të larta, e vërteta është se, sa më e madhe kompania, aq më pak e preferueshme është që një femër të jetë në krye të saj.

Top Channel