Hani këto ushqime në mëngjes për të shmangur urinë disa orë më vonë…
Rreth 35 gra shqiptare humbin çdo vit jetën, për shkak të kancerit të qafës së mitrës. Një sëmundje e parandalueshme në 80 përqind të rasteve, nëse kapet në kohën e duhur.
Sipas Institutit të Shëndetit Publik, në vendin tonë shënohen rreth 100 raste të reja në vit. Ndërkohë që, më shumë se gjysma e tyre diagnostikohen në stadet e avancuara, 3 dhe 4, kur trajtimi është shumë më pak efektiv dhe shumë i shtrenjtë.
Sipas mjekëve, shifrat janë të vogla krahasuar me ato të kancerit të gjirit, por kjo sëmundje shfaqet në moshë shumë më të re.
Kanceri i qafës së mitrës është një tumor që formohet në qafën e mitrës, të cilit i njihet shkaku. Studimet e viteve të fundit kanë provuar se, pothuaj të gjitha rastet shkaktohen nga një virus i veçantë, që njihet me emrin “Virusi i Papillomës Humane”, ose shkurt “HPV”. Ka më shumë se 100 tipe të këtij virusi, por vetëm një pjesë prej tyre janë me rrezik të lartë.
E veçanta e këtij virusi është se ai, pasi hyn në organizëm, mund të mbetet aty i fshehur me vite, pa dhënë asnjë shenjë sëmundjeje.
Virusi që shkakton kancerin e qafës së mitrës përhapet nëpërmjet kontakteve seksuale dhe rreziku i infektimit rritet, me shtimin e numrit të partnerëve seksualë.
Ai është kanceri i dytë më i shpeshtë te gratë në botë, nga 15-44 vjeç, me një shkallë të lartë vdekshmërie. Në Evropë, rreth 30.000 gra vdesin çdo vit nga kanceri i qafës së mitrës, që përbën gati gjysmën e rasteve të reja të diagnostikuara gjatë një viti.
Top Channel