Riaktivizim hetimeve për “21 janarin”. Rama dhe familjarët përkujtojnë viktimat e protestës së PS

21/01/2015 00:00

Katër vjet nga vrasja e 4 protestuesve të 21 janarit, po nga ajo godinë
nga ku plumbat e Gardës së Republikës i morën jetën Ziver Veizit, Aleks
Nikës, Hekuran Dedës dhe Faik Myrtajt dolën familjarët e tyre së bashku
me Kryeministrin Rama, për t’iu drejtuar bulevardit ku vendosen lule në 4
pllakatat perkujtimore.

Ndërsa tek Kryeministri Rama ky 21 janar i dytë që ai përkujton si Kryeministër i vendit, pesha e përgjegjësisë për të realizuar drejtësi të ritheksuar nga familjarët vijon të jetë e rëndë. Vendosjes së luleve në bulevardin, i cili u përgjak 4 vite më parë, i parapriu një takim në Kryeministri me familjarerët e 4 të vrarëve.

Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës tregon se çfarë u bisedua me kreun e ekzekutivit shqiptar.

“Do të riaktivizohen hetimet në përputhje me legjislacionin tonë, me Kushtetutën, me juristë dhe kompani ndërkombëtare, për ta çuar çështjen deri në fund. Dhe Ministria e Drejtësisë ka kompetencën dhe të drejtën ligjore për të studiuar dosjet për shkeljet proçeduriale”, thotë Mark Nika

Odisea e hetimit te “21 janarit”

“Pas 23 qershorit, do të jetë thjesht dhe vetëm kryetari i Partisë Demokratike, përballë një procesi publik transparence për shkeljet e Kushtetutës dhe të ligjit me pasojë humbje jetësh, familjet e katër dëshmorëve të 21 janarit nuk duhet ta vuajnë sot përfundimin vrastar të një gjyqi që në të vërtetë nuk ka filluar akoma. I siguroj 4 familjet, sic siguroj edhe vrasësit e sotëm të drejtësisë, se 21 janari është nga ato ngjarje që historia mëson se as nuk harrohen pa u gjykuar drejtësisht dhe as nuk mbyllen duke u gjykuar padrejtësisht”.

Kështu deklaroi kryeministri Rama,me 7 shkurt të vitit 2013, në kohën kur PS ishte në opozitë 2 vite më parë. 21 janari mbetet një çështje e rëndësishme për PS, e cila e quan atë një krim shtetëror me urdhëruesit ende të pandëshkuar. Megjithëse tani në pushtet, për të majtën zbardhja deri në fund e kësaj ngjarje tronditëse për demokracinë shqiptare vijon të jetë e vështirë. Ja çfarë tha kreu i qeverisë 31 janarin e vitit që sapo lamë pas lidhur me këtë çështje:

“Ne si qeveri kemi bërë dhe do bëjmë nga ana njerëzore gjithcka mundemi për të lehtësuar rrugëtimin në jetë të fëmijëve të viktimave të 21 janarit. Ndërsa sa për viktimat, unë e them me bindje se drejtësia mund të vonojë por nuk do të harrojë”, tha Rama.

Për këtë ngjarje janë dënuar nga Gjykata e Apelit, për vrasje nga pakujdesia, ish-komandanti i Gardës Ndrea Prendi me 1 vit burg, gardisti Agim Llupo 3 vjet që përkuan me kohën e paraburgimit dhe u shpall i pafajshëm, Margarit Kume ish-shoferi komandantit të Gardës.

Por, Prokuroria e ka ankimuar cështjen në Gjykatën e Lartë, duke këmbëngulur se ata kanë konsumuar veprën e vrasjes me dashje. Gjykata e Lartë ka hedhur shortin më 28.10.2013, më anë të të cilit është caktuar relator gjyqtari Edmod Islamaj.

Pavarësisht se ka kaluar 1 vit nga hedhja e shortit, kjo gjykatë nuk e ka caktuar ende datën e gjykimit, duke shënuar një tjetër skandal të drejtësisë shqiptare në çështjen e 21 janarit.

Top Channel