Meditimi në punë, oazi i paqes në një ditë plot stres

21/01/2015 00:00

Fluksi i një dite pune e një asistenteje administrative, që duhet të merret me organizimin nga A-ja te ZH-ja në një kompani në fushën e teknologjisë së informacionit, të lë pa frymë.

Sapo të vijë në punë në mëngjes, asaj i duhet të hartojë listëprezencën e punonjësve; më pas të raportojë, të hartojë dokumentacione të ndryshme, të plotësojë kërkesat e eprorëve; të bëjë një kontroll të përgjithshëm të mbarëvajtjes në punë; të organizojë mbledhjet, takimet; të mbajë protokollin, të përpilojë evidenca, të ndjekë likuidimin nga ana e Financës; t’u përgjigjet klientëve…

Lista mund të vazhdojë ende më gjatë, por më e rëndësishmja është se i duhet të gjejë kohë për gjithçka dhe për më tepër të jetë e qetë dhe e buzëqeshur. Nëse s’do gjente disa minuta për të medituar gjatë punës, me siguri Eni Jordhani s’do ia dilte, ose të paktën jo kaq mirë.

“Eni është shumë pozitive. Është personi i parë i kontaktit kur hyhet te kompania jonë”.

“Eni është gjithnjë e buzëqeshur dhe ka një energji pozitive. Të gjithë vijmë me energji në punë, por ajo ka më shumë energji se ne të tjerët”.

Meditimi për të është si një rinisje (restart) e vetes. Dhe për të bërë këtë, i mjaftojnë qoftë edhe dy minuta, në një cep të kuzhinës apo dhe në karrigen e punës. Ushtrimet e saj janë të thjeshta dhe sigurisht të kufizuara në një ambient pune. Ato fokusohen më shumë te frymëmarrja. Kolegët janë habitur, kur e kanë parë në fillim.

“Enin e kam parë para pak kohësh në një pjesë të kompanisë ku nuk ka shumë lëvizje, dhe fillimisht mendova se mos kishte ndonjë problem, por kur e pashë që po ruante një pozicion të caktuar, atëherë kuptova se mund të ishte duke bërë joga”.

Habia e fillimit në fakt është fashitur shumë shpejt.

“Faktikisht është shumë mirë të bësh joga gjatë orarit të punës, sepse stresi që akumulohet është i madh dhe duhet shmangur, pavarësisht se jemi brenda orarit të punës. Kjo është edhe në interesin e kompanisë, por është edhe në interesin tonë, pasi stresi i akumuluar t’i jep pasojat në vitet pasardhëse. Madje, luftimi i stresit rrit edhe produktivitetin e kompanisë. Ndaj jam tërësisht në favor”.

Energjia dhe pozitiviteti i Enit kanë bërë që edhe kolegët të interesohen për të mësuar disa teknika relaksimi gjatë kohës së pushimit.

“Pse jo, në ditë të ngarkuara mund të shfrytëzojmë pushimet që kemi për teknika të tilla. Besoj se do të ishte pozitive”.

Eni gjen kohë të meditojë çdo ditë në punë. Ajo shkëputet qofte edhe për disa sekonda nga ankthi, stresi, për t’u rikthyer sërish e freskët, me vrullin dhe energjinë me të cilat erdhi në mëngjes.

Top Channel