Çuçi: Përfundimisht zgjedhjet me 61 bashki

17/01/2015 00:00

Për mazhorancën nuk ka më asnjë dyshim, që zgjedhjet vendore të 21 qershorit do të mbahen për 61 bashki, megjithë përpjekjen e demokratëve për të mos e njohur hartën e re territoriale.

Asnjë hapësirë tjetër ligjore për ta zhbërë apo për të zhvilluar referendume lokale nuk ka pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese apo Kolegjit Zgjedhor për të, thotë ministri për Pushtetin Vendor, Bledi Çuçi.

“Harta e re administrativo-territoriale e Shqipërisë është një ligj i çertifikuar nga Gjykata Kushtetuese, kështu që diskutimi për hartën e re administrativo-territoriale është përfundimisht, ligjërisht dhe politikisht i mbyllur. Lidhur me deklaratat se nuk ka zgjedhje me këtë hartë, mendoj se janë deklarata të nxituara. Një forcë politike mund të deklarojë nëse dëshiron të marrë pjesë në zgjedhje apo jo”, deklaron Çuçi.

Duke e lënë në çmimin e opozitës për të iniciuar ndërhyrjet në Kodin Zgjedhor, nga ana e saj mazhoranca thotë se do të kryejë shumë shpejt detyrimin për plotësimin e 3 vendeve vakante në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

“Këtu ka një vonesë. Vendet vakante në KQZ do plotësohen në periudhën më të shpejtë të mundshme. Me fillimin e Parlamentit besoj se do të ketë plotësim të këtyre vakancave”, nënvizon Çuçi.

Por mazhoranca nuk do të ndërhyjë as për një formulë të re të KQZ dhe as në zhbërjen e balancës aktuale të përfaqësimit të palëve politike në të.

Pavarësisht se fryma në Kodin Zgjedhor reflekton mazhorancën qeverisesë në përfaqësimin në mazhorancë, edhe në këtë institucion opozitës do t’i jepet mundësia të ruajë shumicën e anëtarëve të propozuar në të.

“Është demonstruar vullneti për të qeverisur me një konsensus politik atje ku është e mundur dhe përsa na takon neve për të garantuar këtë konsensus. Pastaj, se si veprojnë segmentet e opozitës parlamentare, kjo është në çmimin e atyre”, shton Çuçi.

Përveç plotësimit të KQZ-së, me fillimin e sesionit të ri parlamentar të hënën do të nisë edhe ndryshimi i një seri ligjesh që preken nga tkurrja në 61 bashki e vendit.

Top Channel