Aktiviteti fizik gjatë shtatzanisë

12/01/2015 00:00

Të ushtrohesh në shtatzani i bën mirë fëmijës dhe nënës. Nuk bëhet fjalë vetëm për ecje apo ushtrime të thjeshta, por aktivitet i mirëfilltë sportiv. Por kini kujdes, jo çdokush dhe pa kurrfarë limiti!

Ndoshta gjatë muajve të shtatzanisë jeni me të përziera e shihni sesi trupi ndryshon dita-ditës dhe gjëja e fundit që do të doni të bëni janë ushtrimet fizike, por specialistët e Universitetit të Michiganit thonë se duhet t’i jepni kurajo vetes dhe t’ia dilni!

Gratë që kryejnë aktivitet gjatë shtatzanisë ndihmojnë veten e tyre, por edhe shëndetin e fëmijës në të ardhmen.

Sa më aktive, aq më e lehtë do të jetë për gratë të përshtaten me peshën dhe formën e re trupore. Kjo gjë do të ndihmojë shumë edhe pas lindjes, sepse trupi do të rikthehet në formën më të mirë për një kohë më të shkurtër.

Por, më e rëndësishmja e këtij studimi është se ky përkushtim i nënës gjatë muajve të shtatzanisë ndihmon fëmijën që të mos vuajë presionin e lartë të gjakut në të ardhmen.

Deri më sot ka pasur shumë paragjykime për nëna, të cilat kanë ndjekur këtë ritëm. Nga publiku ato janë parë si egoiste dhe nëna të ardhshme jo të përkushtuara, madje dhe janë kritikuar.

Si për shembull Zara Phillips, mbesa e Mbretëreshës Elisabeta, kalorëse profesioniste që vazhdoi të konkurronte ndërsa ishte shtatzënë një vit më parë. Shumë i njohur u bë edhe rasti i Lea-Anne Ellison, një “bodybuilder” shtatzënë nga Los Angeles, e cila shkaktoi një stuhi në median sociale pasi postoi foto duke ngritur pesha të rënda, ndërsa ishte 2 javë përpara lindjes. Ndërsa Meghan Leatherman ka bërë të njëjtën gjë deri 3 ditë përpara se të sillte në jetë fëmijën e saj.

Studiuesit, duke iu referuar edhe këtyre rasteve, sugjerojnë të bëni aktivitetin tuaj normal në sport, vrap, yoga, kërcim dhe shumë ecje. I gjithë sekreti qëndron te sensi i masës. Ndaj, ajo se kush duhet të bëjë ushtrime dhe sa duhet të ushtrohet në secilin muaj, mbetet për t’u konsultuar me specialistë.

Top Channel