PD: Bandat kanë lidhje me Qeverinë. Reagon PS: PD nuk ndal sulmin ndaj policisë

06/01/2015 00:00

Partia Demokratike deklaroi se përplasja mes bandave përgënjeshtroi shifrat e Ministrisë së Brendshme për luftën ndaj krimit.

Deputeti Arben Ristani tha se bandat gezojne mbrojtje nga Qeveria dhe se prania e nje agjenti policie ne kete perplasje kompromenton direkt Ministrin e Brendshëm dhe Kryeministrin.

‘Dihet botërisht se banda e përplasjes së përgjakshme, ka lidhje me Qeverinë.Por përfshirja fizike në këtë histori e një efektivi të policisë, është një fakt i rëndë, kompromentues, që bën përgjegjës drejtpërdrejt Saimir Tahirin, që bën përgjegjës shefin e Tahirit, Edi Ramën. Partia Demokratike e denoncon këtë ngjarje të rëndë, që dëshmon se Kryeministri dhe Ministri i tij ofrojnë mbrojtje, ofrojnë siguri, dhe garanci policore për bandat. Kjo ngjarje tregon se banda ka jo vetëm lidhje të drejtpërdrejta me Qeverinë gjatë ushtrimit të aktivitetit të saj kriminal, por ka drejtpërdrejt mbështetjen e Qeverisë me burime njerëzore. Partia Demokratike denoncon përpjekjen e qeverisë për të keqinformuar dhe mosinformuar publikun për detajet e ngjarjes së mbrëmshme kriminale që nxjerr zbuluar lidhjet kriminale të Ministrit të Brendshëm dhe vetë Kryeministrit.Ne i bëjmë thirrje prokurorisë të veprojë me profesionalizëm dhe të ofrojë transparencën më të plotë sipas ligjit  për këtë episod të errët të lidhjes së mafias me qeverinë.Asgjë nuk mund t’i fshihet apo deformohet publikut. E vërteta e plotë dhe tronditëse që fshihet si ajsberg poshtë ngjarjes së mbrëmshme duhet të dalë në dritë. Dhe do të dalë”, tha Ristani.

PS: PD nuk ndal sulmin ndaj policisë

Pas këtyre akuzave reagoi Partia socialiste, e cila tha se opozita nuk e ndal sulmin ndaj policisë. Sipas saj, PD ka sulmuar policinë  edhe në aksionet e Lazaratit, apo edhe kundër vjedhjes së energjisë.

“Numri dy i Partisë Demokratike doli sërish sot përpara medias për të sulmuar Policinë e Shtetit dhe sigurisht, edhe qeverinë. Që Partia Demokratike të sulmojë policinë, kjo nuk është një gjë e re. Pasi policinë opozita e ka sulmuar vazhdimisht, edhe kur ka vendosur rregull në trafikun rrugor, edhe kur ka ndaluar vjedhësit e energjisë elektrike, edhe kur çliroi Lazaratin nga prodhuesit dhe trafikuesit e drogës që për 20 vjet e kishin kthyer një copë të Shqipërisë në një ishull jashtë kontrollit të shtetit. Por reagimi i sotëm i zotit Ristani tregon mënyrën se si operon Partia Demokratike. Asnjë alternativë se si gjerat mund të bëhen më mirë. Një ditë më parë, Ministri i Brendshëm paraqiti disa shifra shumë domethënëse të punës së policisë së shtetit. Shifra, të cilat as Partia Demokratike, as Arben Ristani, nuk guxuan t’i kundërshtojnë, por i pranuan pasi janë të vërteta. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe kur numri dy i Ministrisë së Brendshme ishte Arben Ristani, i dënuar nga gjykata, me të kaluar penale. Sigurisht që numri dy i Partisë Demokratike nuk flet për veten e tij, as për të kaluarën e tij”, Ervin Bushati, deputet i PS-së.
 

Top Channel