Emërimet në Gjykatën e Lartë, Presidenti: S’ ka ligj të ri, mazhoranca të respektojë vendimet e Kushtetueses

06/01/2015 00:00

Pa kaluar 24 orë nga përgjigja që krerët e grupeve parlamentare të Partisë Socialiste dhe LSI-së i nisën letrës së Presidentit Bujar Nishani lidhur me emërimin e anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë, kreu i shtetit thotë se do të respektojë procedurat në fuqi për këto emërime.

“Nuk ka asnjë ligj të ri që ka hyrë në fuqi, por kemi një ligj që është në fuqi ende. Si President i Republikës jam i detyruar të zbatoj kohën e parashikuar në ligj dhe Kushtetutë për procesin. Vazhdoj të konstatoj me keqardhje mungesën e vullnetit të mazhorancës për të zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Do të vazhdoj të respektoj të drejtën kushtetuese derisa ligjvënësi të vendosë të ndryshojë Kushtetutën”, u shpreh zoti Nishani.

Një ditë më parë, Gramoz Ruçi dhe Petrit Vasili i kërkuan Presidentit që të shpallë vendet vakante në Gjykatën e Lartë sipas ligjit të ri të ndryshuar në fund të muajit dhjetor.

Por, Nishani nuk është shprehur ende për këtë ligj. Ai u shkroi partive parlamentare për të zhvilluar konsultime, siç edhe ka ndodhur deri më sot, ndërsa sipas ligjit të ri të miratuar nga shumica, duhet të ngrihet një këshill konsultativ pranë Presidentit, pjesë e të cilit do të jenë krerët e institucioneve të drejtësisë.

Top Channel