PD: Rama, arrogant edhe me viktimat. Reagon PS: PD, lotë krokodili

29/12/2014 00:00

Për Partinë Demokratike, kryeministri Edi Rama zbuloi pjesën e vetë më të pandjeshme me qëndrimin që mbajti ndaj 52-vjeçarit që u vetëvar në burgun e Rrogozhinës.

“Pasi i mori jetën me skemën e tij anti-humane, me represionin e verbër policor, Edi Rama nuk bën gjë tjetër veçse denigron më shumë viktimën. Ai vazhdon luftën ndaj babait të tre fëmijëve, duke e shpallur “hajdut” pas vdekjes. Ndërkohë që ai gënjen sepse rezultoi se 52-vjeçari nuk abuzonte me energjinë, përkundrazi ai e paguante atë”, deklaroi Grida Duma, sekretare për marrëdhëniet me publikun në PD.

Për të treguar sesi qytetarët e vendit trajtohen me dy standarde, Partia Demokratike publikoi një dokuement të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë, sipas të cilit një zyrtar i lartë lokal është debitor dhe nuk preket nga policia, siç u bë me 52-vjeçarin që u vetëvar në burgun e Rrogozhinës.

“Kemi shembullin e një debitori të pashembullt, me 38 milionë lekë detyrime. A është ai në burg? Jo, ai është i mbrojtur nga kryeministri. Ai jo vetëm që nuk është në burg, por është i premiuar. Rama, drejtorin rajonal të mjedisit në Gjirokastër e mban me 38 milionë lekë detyrime dhe madje e mbron, pasi ky është kryeministri”, nënvizoi Duma.

Partia Demokratike e akuzoi kryeministrin Rama edhe se po përpiqet të mashtrojë sërish shqiptarët se nuk e ka rritur çmimin e energjisë elektrike. Sipas opozitës, rritja e çmimit do të ndikojë negativisht në ekonomi gjatë vitit të ardhshëm, jo vetëm pse do të prekë direkt konsumatorët familjarë, por edhe për shkak të rritjes së çmimit për bizneset, do të rriten kostot dhe me pas çmimet e produkteve.

“Partia Demokratike i bën thirrje Edi Ramës që të tërheqë menjëherë rritjen e çmimit të energjisë, përndryshe do të përballet me protestat më masive dhe më të fuqishme që ka njohur ndonjëherë vendi”, deklaroi shefi i departamentit për arsimin në PD, Luçiano Boçi.

Por në reagimin e saj Partia Socialiste i hodhi poshtë pretendimet e PD sa i takon ndikimit të çmimit të energjisë tek çmimet e produkteve.

“Sot, opozita arriti kulmin kur tha se çmimi i bukës do të rritet si pasojë e rritjes së çmimit të energjisë. Por çmimi për furrat e bukës nuk do të rritet. Qytetarët mund të jenë të qetë për këtë. PD derdh lotë krokodili. Mirë që në 8 vjet e çoi sistemin e energjisë në kolaps, por gjatë këtyre viteve e rriti dy herë çmimin e saj, në 2006 dhe 2010 dhe tani, kur çmimi nuk po rritet por po normalizohet, ajo të paktën mund të mos gënjejë”, deklaroi deputetja Olta Xhaçka.

Top Channel