PD: Cmimi i energjisë u rrit 24%. PS: Demokratët spekulojnë

28/12/2014 00:00

Për Partinë Demokratike, çmimi i energjisë është rritur me 24% për shqiptarët dhe deri në 35% për bizneset.

Kjo do të rrisë edhe çmimet e produkteve të tjera, tha Jorida Tabaku, që nga selia blu ftoi qytetarët në protesta: “Që nga 1 janari i vitit 2015, 75% e familjeve shqiptare do të paguajnë 24% më shumë në çmimin e energjisë elektrike. Për bizneset e mëdha, rritja e çmimit është 12%, për industrinë 33% dhe për bujqësinë 35%. Kjo do të ndikojë direkt në rritjen e çmimit të produkteve dhe do të shtrenjtohet akoma më shumë jetesa. Qytetarët do të dalin në protesta për të ndalur të keqen.”

Por, socialistët reaguan. Ervin Bushati tha se për energjinë nuk do të paguhet më shumë: “7.7 lekë ishte vetëm për fashën 300 kë dhe nuk është çmimi i sotëm mesatar i energjisë për të gjithë. Heqja e fashës dhe vendosja e çmimit mesatar fiks i jep fund vjedhjes masive dhe vendos një sistem të drejtë ku askush nuk mund të shmanget në kurriz të më të varfërve. Kush nuk është pensionist kryefamiljar, invalid apo anëtar i një familjeje me ndihmë ekonomike, nuk do të paguajë më shumë, por vetëm aq sa i takon në bazë të konsumit. Të tjerat janë spekulime të turpshme ose hesape të gabuara.”

Top Channel