Rama: Luftë punës në të zezë. Kryeministri prezanton aksionin e 2015-s

27/12/2014 00:00

Gjatë një vizite në qytetin e Vlorës, kryeministri Rama lajmëroi nisjen e një aksioni të ri kundër punësimit në të zezë. Rama foli për një skemë të re pensionesh, reformë në shëndetësi dhe arsim, si dhe për zbatimin e reformës territoriale.

“Reforma e pensioneve, që nuk prek pensionistët aktualë, është shumë e rëndësishme për ata që dalin në pension që nga janari i vitit të ardhshëm, prandaj në 2015 ne do nisim përpjekjen tonë kundër punës në të zezë dhe informalitetit, për t’i dhënë fund skllavërisë dhe për faktin se pensionet në të ardhmen do të varen nga kontributet. Sa më të larta të jenë ato, aq më të larta do të jenë pensionet. Do jetë një vit ku do fokusohemi gjithashtu tek shëndetësia për të çuar para projektin tonë dhe anti-korrupsionin, si një betejë kundër informalitetit dhe për funksionimin e shtetit”, deklaroi Rama.

Nga qyteti bregdetar, edhe njëherë tjetër shefi i qeverisë ngulmoi se nuk është rritur çmimi i energjisë elektrike.

“Duke hequr fashën dhe mesatarizuar çmimin ne bëmë një rritje uniforme të çmimit dhe kemi hequr mburojën pas të cilës fshiheshin konsumatorë të panumërt, që pas fashës prej 300 kë paguanin shumë më pak. Kemi siguruar që ata që preken nga heqja e fashës të marrin pagesë direkte që nga janari i vitit të ardhshëm, në mënyrë që të mos e ndjejnë ndryshimin e çmimit”, saktësoi Rama.

Për energjinë elektrike Rama tha se ka një përgjigje pozitive mbarëqytetare për aksionin kundër vjedhjes dhe se në 2015 qeveria synon shtimin e investimeve në këtë sektor, me qëllim rritjen e cilësisë së shërbimit për qytetarët, përfshirë synimin e pasjes së një politike të re për TVSH-në e energjisë të paguar nga familjarët.

Top Channel