Opozita kthehet në parlament duke i dhënë fund bojkotit më të gjatë të saj prej gjashtë muajsh në 1 vit e gjysmë opozitë.
E para që mbërriti në sallë ishte Jozefina Topalli, ndërsa socialistët e shoqëruan hyrjen e opozitarëve edhe me batuta nga vendi, si ajo për shprehjen e mallit nga mungesa e gjatë e opozitës në sallë.
Për rastësi, Kryeministri Edi Rama u ul në vendin në parlament në të njëjtën kohe me hyrjen e paraardhësit të tij Sali Berisha.
Dakortësia e palëve shoqëruar edhe me marrëveshjen verbale për të mos patur asnjë diskutim në sallë, përveç fjalës së kreut të grupit të PD Edi Paloka për arsyet e kthimit të opozitës në Kuvend.
“Ky moment dhe kjo marrëveshje janë rasti i duhur për të shpëtuar politikën shqiptare për aq sa mundemi nga zhytja totale në llumin e krimit dhe korrupsionit. Por nëse dikush e sheh këtë marrëveshje si një akt sa për të kaluar radhën, gabon. Nëse e sheh thjesht si kortezi ndaj partnerëve që ndërhynë për realizimin e saj prap gabon. E ca më shumë nëse ndonjërit do t’i pëlqejë ta interpretojë këtë marrëveshje thjesht si një favor që iu bë opozitës për ta shpëtuar nga djegja e mandateve, gabon dhe gabon shumë rëndë. Askush të mos ketë iluzionin që kjo marrëveshje është një pakt paqeje mes nesh dhe kësaj qeverie. Interesin tonë si opozitë e shohim të lidhur ngushtë me interesin e qytetarëve dhe do të jemi në parlament për të mbrojtur deri në fund këtë interes”, tha kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Edi Paloka.
Por megjithë klimën e qetë të kësaj seance, demokratët nuk u kursyen në akuza, që këtë herë kishin në qendër të dy drejtuesit e mazhorancës.
“Në një parlament ku Kryeministri mban nën kërcënim kryetarin e parlamentit me prangat e burgut”, tha Paloka.
Fjalimin e kreut të deputetëve demokratë, Kryeministri Rama nuk e ndoqi nga salla, por asnjë prej përfaqësuesve të mazhorancës nuk replikoi, që solli përkundër nga sa pritej, përfundimin e shpejtë të seancës me miratimin e kësaj rezolute.
Deri në këtë votim, demokratët tentuan aprovimin e një tjetër kërkese të tyre, atë për heqjen e çdo pike tjetër nga rendi i ditës, që nuk u aprovua nga socialistët.
Kjo solli largimin e tyre vetëm pak pasi kishin mbërritur në Parlament, por ata u kthyen sërish pas pak më shumë se një orë, duke votuar në fund të gjithë rezolutën e përbashkët të ndërmjetësuar nga ndërkombëtarët.
Top Channel