Joe Cocker, jeta dhe vepra e yllit më të madh të Rock-ut

23/12/2014 00:00

Këngëtari Joe Cocker, i cili mban mbi supe një karrierë të suksesshme mbi 50-vjeçare, ndahet nga jeta pas një beteje të gjatë me kancerin. Humbja e tij në moshën 70- vjeçare u konfirmua nga Barrie Marshall, agjenti i cili ka punuar me të për më shumë se 30 vite.

Teksa komunikonte lajmin, ai tha se “pa më të voglin dyshim, Joe Cocker është ylli më i madh i rrokut, zëri më i mirë i muzikës Soul në Britani, dhe një njeri që nuk ndryshoi parimet përgjatë gjithë jetës së tij. Një talent shumë i madh, një yll i vërtetë, por i tillë që gjithmonë preferonte të performonte me shumë përulësi. Kushdo që arriti ta njohë atë, nuk do ta harrojë kurrë”, – shprehet Marshall.

Cocker, i njohur për timbrin e veçantë të zërit të tij, kulmin e famës e shënoi me koverin e këngës së “Beatles”-ave, “With a little help from my friends”, këngë e cila ishte absolutisht më e suksesshmja në vitin 1968.

Paul McCartney, anëtari legjendar i grupit “Beatles”, shumë merita ia dedikon atij, si muzikanti i cili realizoi disa këngë të tyre. Ai tha se do t’i jetë përjetësisht mirënjohës Cockerit, që këngën “With a little help from my friends”, arriti ta kthejë në himnin e shpirtit.

Prej një kohe të gjatë jetonte në SHBA, në një fermë në Colorado, me Pamin, gruan e tij të dytë. Ai u lind më 1944, u rrit në Sheffield, djali i vogël i një shërbëtori. Për herë të parë u ngjit në skenë me bandën “Vance Arnold and the Avengers”, por menjëherë pas ndarjes me këtë grup në 1963, ai filloi të mbështesë “Rolling Stones”.

Në respekt të figurës së tij dhe influencës artistike, që ai pati gjatë gjithë karrierës, muzikantë dhe këngëtarë të mirënjohur si Ronan Keating e Bryan Adams kanë shprehur ngushëllimet për humbjen e legjendës muzikore. Adams shprehet në rrjetet sociale: “U prefsh në paqe miku im i mirë, ti ishe një prej këngëtarëve rrok me të suksesshëm, që ka ekzistuar ndonjëherë”.

Performanca e tij në 1969 me “With a little help from my friends”, në festivalin e “Woodstock” në Nju Jork, ende konsiderohet si një prej momenteve më të mëdha në historinë e performancave Rock.

Në të njëjtin vit, ai realizoi albumin e tij të dytë, me bashkëpunime të suksesshme si Bob Dylan dhe Leonard Cohen. Paul McCartney dhe George Harrison, të mahnitur nga talenti i tij i dhanë mundësinë të realizonte dy baza muzikore për “Beatles”.

Në 1970, ai ndërmori një tur në Amerikë, duke u prezantuar me bandën e re muzikore “Mad Dogs and Englishmen”, i cili përfshinte pianistin Leonard Russell dhe këngëtaren Rita Coolidge. Pavarësisht suksesit të jashtëzakonshëm që pati për një kohë të gjatë, duke realizuar këngë shumë të bukura si “The Letter”, çka kryesoi top listat për një kohë të gjatë, Cocker filloi të abuzojë me alkoolin dhe drogën, dhe rikthehet në vitin 1971 në vendlindjen e tij, në Sheffield.

Duke iu referuar këtyre kohërave të vështira, vet artisti pati pranuar se eksperienca me drogën dhe alkoolin është një fazë e pariparueshme e së shkuarës. “M’u deshën shumë vite për t’u kthyer në rrugën e drejtë” – ka thënë këngëtari.

Pas gati një dekade, në vitin 1978, kur ai ndërkohë kishte realizuar disa albume, Cocker martohet me Pam, gruan e tij të dytë dhe vendos të jetojë në një fermë në Colorado, të Shteteve të Bashkuara.

Performanca të tij që do të mbahen mend, janë dueti me Jennifer Warnes, “Up where we belong”, sukses që e bëri atë të fitojë një çmim “Grammy” dhe një “Academy Award” në 1983.

Kënga “You can leave your hat on”, është një tjetër hit i pavdekshëm i tij. Ai vazhdoi të regjistrojë albume muzikore deri në vitin 2012 dhe i fundit ishte “Fire it up”, një sukses i padiskutueshëm në Britani. Vitin e shkuar ai zhvilloi një tur në Europë dhe koncertin e fundit e dha në qershorin e këtij viti.

Joe Cocker është artisti i cili regjistroi mbi 40 albume muzikore.

Top Channel