Eastwood, me “snajper” në garën për Oscar

23/12/2014 00:00

Në Amerikë sa vijnë e shtohen diskutimet mbi “American Sniper”, filmi i ri me regji të Clint Eastwood, që tregon historinë e veteranit të forcave speciale Chris Kyle.

Filmi, bazuar në librin biografik me të njëjtin titull, është shfaqur premierë më 11 nëntor, ndërkohë që në mbarë kinematë amerikane do të shfaqet më 25 dhjetor.

Që tani ka nisur të vlerësohet performanca e aktorit Bradley Cooper që interpreton pikërisht Kyle dhe që ka kontribuar edhe si producent.

Një gjë është e sigurtë, që si filmi ashtu edhe protagonisti do të jenë kandidatë të fortë natën e çmimeve Oscar. Ajo që Eastwood ka dashur të tregojë është lufta dhe historia e vërtetë e snajperit më të mirë në historinë e ushtrisë amerikane.

Chris Kyle u dërgua katër herë në Irak me një mision të vetëm: të mbronte shokët e tij përmes aftësive të jashtëzakonshme prej qitësi. Këto aftësi bënë që atij t’i vihej pseudonimi “Legjenda”, por edhe që armiqtë e tij të vinin një shpërblim të majmë për kokën e tij.

“Historia e treguar përmes këtij filmi është një histori kurajoje dhe mohimi. Kyle, pikërisht për aftësitë e tij të jashtëzakonshme u bë një shënjestër nga armiqtë e tij. Mbi kokën e tij u vendos edhe një shpërblim”, tregon Cooper.

Sipas aktorit, i cili e ka fituar një Oscar, ky film ka një qëllim të vetëm: krijimin e vetëdijshmërisë tek amerikanët për përpjekjet e bëra nga ushtarët amerikanë në frontet e reja të luftës.

Top Channel