Personazhi i vitit, nis faza e dytë

20/12/2014 00:00

Ka përfunduar faza e parë e sondazhit për personazhin e vitit, të organizuar nga Top Channel në faqen e tij të internetit. 10 emrave më të votuar të publikut i shtohen nga sot 10 propozimet e Top Channel.

Votimi i publikut deri tani duket se ka karakter sa politik edhe kombëtar, duke nisur nga votat e dhëna për emrat e parë në listën e të preferuarve të publikut.

Kryeministri Edi Rama është votuar jo vetëm për misionin e tij politik, por mesa duket edhe për ngjarjet e Beogradit e Preshevës.

Ashtu sikurse edhe kombëtarja e futbollit, që veç rezultateve shumë të mira të muajve të fundit ka marrë vota edhe për reagimin e futbollistëve në ndeshjen Serbi-Shqipëri.

Po ashtu, në lidhje me këtë ndeshje: Ballist Morina, personi që ngriti dronin gjatë zhvillimit të saj. Traineri De Biasi është një tjetër emër i votuar nga publiku, për punën e tij me kombëtaren e Shqipërisë dhe promovimin e gjerë që i ka bërë vendit në arenën ndërkombëtare, veçanërisht në Itali.

“Lazarati” dhe jo vetëm i kanë dhënë votat ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, sikundër edhe aktiviteti politik në krye të opozitës kryetarit të PD, Lulzim Basha.

Personazhe të tjera të votuara nga publiku janë: aktori Ermal Mamaqi, këngëtarja Elhaida Dani, kantautori Alban Skënderaj dhe Papa Françesku.

Ashtu sikurse çdo vit, në këtë fazë të dytë 10 emrave më të votuar të publikut u shtohen 10 propozimet e Top Channel, një pjesë e të cilëve të njohur për aktivitetin e tyre publik, por edhe disa personazhe jo fort të njohur, heronj të heshtur që punojnë dhe kontribuojnë çdo ditë për të bërë jetën e njerëzve në nevojë edhe më të mirë. Ata janë:

1. Majlinda Kelmendi, sportistja nga Kosova e cila u shpall Kampione e Botës në xhudo.

2. Aktori Pandi Toçe, ose siç u cilësua në media: heroi i heshtur, i cili humbi jetën duke shpëtuar nga mbytja atë të një fëmije.

3. Don Ernest Troshani, kleriku i torturuar dhe i burgosur gjatë regjimit komunist, i cili me dëshminë e tij përloti Papën gjatë vizitës së tij në Shqipëri.

4. Ermonela Jaho, sopranoja shqiptare me famë ndërkombëtare, e cila përpos impenjimeve në teatrot më në zë të botës iu dedikua edhe bamirësisë në vendlindje, duke realizuar një koncert, të ardhurat e të cilit shkuan në ndihmë të fëmijëve me aftësi të kufizuara.

5. Banorët e fshatit Malebardhë, ku shumica myslimane ndërtoi një kishë për pakicën e krishterë, duke dhënë kështu një shembull të shkëlqyer të harmonisë fetare.

6. Emanuela Pepkola Zaimi, krijuesja e Fondacionit Down Sindrome Albania dhe të një qendre terapie. Prind i një fëmije me sindromën down, me kontribut tërësisht vullnetar, ajo u jep suport psikologjik nëpërmjet shoqatës prindërve që kanë fëmijë më të tillë sindromë, si dhe asistencë fëmijëve në qendrën e terapisë.

7. Arjel Trajani, drejtues i rrjetit të qendrave ditore “Eden Shkej” në Tiranë, ku fëmijët e rrugës marrin instruksionet bazë të arsimit dhe ku u sigurohet ushqim e veshmbathje.

8. Gjon Dervishi, ish-biznesmeni i cili la gjithçka për t’iu dedikuar tërësisht vullnetarizmit. Nisur fillimisht nga një rast personal, ai ndërtoi në Tepelenë qendrën “Dora e Ngrohte”, në mbështetje të personave me aftësi të kufizuara mendore. Me gjithë problemet shëndetësore, ai vazhdon misionin e tij për të sëmuret e Tepelenës dhe fshatrave të saj.

9. Emiliano Lule, aktivisti i verbër i cili ka bërë inovacione teknologjike në ndihmë të të verbëreve, duke krijuar aplikacione që përdoren në telefon dhe kompjuter enkas për ta, duke i ndihmuar kështu për një jetesë më të lehtë.

10. Ben Blushi, i cili fitoi çmimin europian të letërsisë me romanin “Otello, Arapi i Vlorës”.

Publiku mund të votojë një prej 20 emrave të paraqitur në faqen e internetit të Top Channel, deri më datë 30 dhjetor. Fituesi do të bëhet me dije në edicionin qendror të lajmeve të 31 dhjetorit.

Top Channel