Sonte në 20:00 “Grand Gala”

17/12/2014 00:00

Sot në orën 20:00 në TKOB zhvillohet “Grand Gala” e organizuar nga Top Channel dhe Fondacioni Mediatik Dritan Hoxha. Një mbrëmje me tematikë tolerancën, thesari i paçmuar i shqiptarëve, gjatë së cilës do të përcillen mesazhe sensibilizuese të shkruar nga shkrimtarë vendas përmes interpretimit të aktorëve.

Aktori Herion Mustafaraj deklaron: “Unë do të interpretoj në një tregim të Ervin Hatipit që flet për mënyrat për të krijuar tolerancën.”

Aktori Lulzim Zeqja: “Do të paraqitem sonte me një poezi të Jani Durit. Është një thirrje që Jani Duri i bën tolerancës fetare edhe bashkimit kombëtar. Ishte një poezi shumë e mirë dhe e kam punuar me shumë qejf.”

Florian Agalliu thekson: “Materiali im është shkëputur nga Pax Albanica i Mustafa Nanos. Është një material i cili flet mbi diversitetin dhe tolerancën fetare. Vlen për t’u theksuar që kombi është i pari dhe feja e dyta.”

Ndërsa Violeta Banushi u shpreh: “Unë do të prezantohem me një shkrim të Besnik Mustafajt që flet për dhuratën që kryetari i Komunitetit Mysliman i bën Papës. Aty shihet qartë toleranca fetare në vendin tonë që në vitin 1913, një vit pas fitimit të pavarësisë.”

Tematika është marrë nga rasti i fshatit Malëbardhë, ku banorët me shumicë myslimane ndërtuan një kishë për banorët e tjerë të cilët janë të krishterë. Të ardhurat e biletave të “Grand Gala”-së do të shkojnë për ndërtimin e rrugës që të çon në fshat.

Gjatë mbrëmjes do të jepet dhe çmimi “Dritan Hoxha”, i cili shkon për një personazh që ka dhënë kontribut të veçantë në fushat social-kulturore gjatë vitit 2014. Sigurisht, pjesë e mbrëmjes do të jetë edhe muzika, këtë vit tërësisht shqiptare me pjesë instrumentale, por edhe këngë të interpretuara nga këngëtarë lirikë dhe të muzikës moderne.

Top Channel