Rruga e Arbërit, polemika Rama-Basha

16/12/2014 00:00

Samitit Kinë-Europa Jug-lindore që ka nisur punimet në Beograd i ka paraprirë në Kryeministrinë shqiptare mbrëmjen e të hënës nënshkrimi një memorandumi bashkëpunimi me “Chinese Exim Bank” për hapjen e një kantieri projektesh në Shqipëri me financime kineze. 

Kjo është njoftuar nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale nga Kryeministri Edi Rama. “Projekti i parë që do të çelë siparin e një epoke të re bashkëpunimi mes Shqipërise e Kinës do të jetë Rruga e Arbërit, e cila do të nisë vitin e ardhshëm”, shkruan Rama. 

Ky memorandum bashkëpunimi parashikon ndërtimin e Rrugës së Arbërit nga kompanitë kineze.

Rruga e Arbrit ka qenë një projekt i rëndësishëm edhe për Partinë Demokratike, kur ajo ishte në pushtet dhe tani në opozitë. Demokratët nuk duan t’i lënë asnjë meritë qeverisë Rama. Kjo lihet të kuptohet nga një  postim në Facebook nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ku ai  thotë se “Projekti strategjik i Rrugës së Arbërit, që nisi para tre vitesh, u ndal me ardhjen e kësaj qeverie, si shumë projekte të tjera të rëndësishme për njerëzit dhe ekonominë e vendit”. 

Sipas zotit Basha marrëveshja me palën kineze për financimin e tunelit të Qafë-Murrizit ishte gati që në muajin shtator të vitit 2013, por ajo u shty në mënyrë të papërgjegjshme nga qeveria për gati një vit e gjysmë.

“Në vend që të kërkojnë falje për këtë vonesë të pajustifikueshme, përpiqen të shesin sapunin për djathë”, shkruan kryetari i Partisë Demokratike.

Për këtë deklarim të Bashës ka replikuar në distancë Rama po nëpërmjet rrjeteve sociale ku thotë: “Kur i dëgjon të tregojnë ende përrallat për të cilat humbën pushtetin e kupton tamam se nga ç’katran me bojë shpëtoi ky vend në 23 qershor. Rruga e Arbërit ishte gati?! Po, mu si gjithë gropat e tjera të borxheve zinxhir në qafën e shqiptarëve! 1 vit negociata për të mos rënë brenda”.

Nuk ka përfunduar këtu ky polemika kaq intensiv brenda një ditë në Facebook mes Ramës dhe Bashës, pasi kreu opozitës i përgjigjet Kryeministrit me një tjetër koment.

“Rruga e Arbërit ka nisur prej vitesh, por njësoj si Bulevardi dhe Lumi i Tiranës, njësoj si autostrada Elbasan -Tiranë dhe si dhjetra vepra të tjera publike është bllokuar, vonuar dhe zvarritur nga njeriu që nuk i duron dot veprat e mëdha. Sa për borxhin, e gjeti 62 dhe e çoi 74 përqind brenda një viti. Këto janë faktet. Mashtrimeve të Ramës ju ka dalë boja”, shkruan Basha.

Në një kohë kur ndërtimi i kësaj rruge ditën e sotme ka marrë edhe ngjyrime politike mes kreut të qeverisë Rama dhe shefit të opozitës Basha, Top-Channel disponon një procesverbal të datës  31/07/2013 kohë kur Ministria e Transporteve drejtohej ende nga qeveria e shkuar i cili është formuluar në lidhje me mbledhjen e parë të  Grupit të veprimeve paraprake “Për dhënien me konçesion të ndërtimit dhe operimit të rrugës së Arbrit” ngritur me Urdhër të Ministrit Nr. 105, dt. 30.07.2013.

Në fund të procesverbalit si konkluzion i kësaj mbledhje shkruhet se “Duke patur parasysh kërkesat e kuadrit të ri ligjor per koncesionet dhe partneritetet publike private, Grupi i vlerësimeve paraprake ra dakort t’i sugjerojë ministrit fillimin e procedurave për prokurimin e një konsulenti të specializuar që do asistojë grupin e punës në këtë projekt, pasi as MPPT, as ARSH nuk disponon kapacitetet e duhura për të kryer analiza të tilla të specializuara”.

Ky konkluzion çon në përfundimin se deri më 31/07/2013 Ministria e Transporteve ishte shumë larg konkretizimit të shqyrtimit të projekteve dhe kapaciteve të kompanive të insteresuara për t’u përfshirë në ndërtimin e Rrugës së Arbërit.

Top Channel