Ndarja e re, PS dorëzon 130 padi për referendumet lokale ndaj KQZ-së

16/12/2014 00:00

Duke e kthyer në një rast të rrallë, palët do të përballen në Kolegjin Zgjedhor 6 muaj përpara zgjedhjeve dhe për plot 130 padi.

Është Partia Socialiste, që ka kërkuar në Gjykaten e Apelit rrëzimin e vendimit të KQZ-së për dhënien e formularit tip për çdo njësi vendore, që ka kërkuar mbajtjen e referendumeve lokale, për të kundërshtuar ndarjen e re territoriale.

PS ka kërkuar shfuqizimin e këtyre vendimeve, si rrjedhojë e zbatimit të gabuar të ligjit e Kodit Zgjedhor, thuhet në çdonjërën prej 130 kërkesë padive. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka bërë asnjë vlerësim të thelbit të kërkesës, paraqitur nga nismëtarët.

Është KQZ që bën vlerësimin formal të kërkesës, thotë PS, kur ngre një pyetje: A do të pajisë KQZ-ja të gjithë nismëtarët e një referendumi, nëse ata kërkojnë për shembull ndryshimin e Rretheve Gjyqësore, Gjykatës Administrative, Kodit Zgjedhor apo atij Civil?

Socialistët thonë në aktpadi, se verifikimin e kërkesës së nismëtarëve e ka për detyrim ta bëjë KQZ. Tani i mbetet Kolegjit Zgjedhor të bëjë vlerësimin. Në rast se rrëzohen vendimet e KQZ-së, çështja e referendumeve merr fund këtu.

Në rast të kundërt, është Gjykata Kushtetuese, që shihet nga PS si vendbeteja tjetër ligjore e kësaj çështjeje, për të verifikuar kushtetueshmërinë e çështjes së veçantë, atë që PS thotë se ishte detyrim i KQZ-së për ta bërë.

Ndërsa socialistët janë në këtë betejë ligjore dhe opozita e sheh si kauzën e radhës politike, nëse do të ndikojë apo jo kjo çështje në zgjedhjet e 21 qershorit, kjo mbetet për t’u parë. Por, ajo që u risoll në vëmendje janë dy problematika: kuadri i vjetëruar dhe i mangët ligjor për referendumet dhe një KQZ e paplotë, ku mazhoranca nuk është e përfaqësuar me anëtar.

Top Channel