Prilli sjell ndryshime të mëdha, 3 shenja të zodiakut hyjnë në një fazë të re Ai është nga Shijaku. Ka ikur në Itali kur kishte 14 vjeç, në vitin 1996. Ka bërë shumë kurse kuzhine, jo shkollë, dhe sot është një ndër shefat e kuzhinës më të vlerësuar në Itali. Është shef kuzhine në një restorant të njohur në mes të Romës dhe drejton punën e më shumë se 10 kuzhinierëve të tjerë.
“Nuk gatuaj, por eksperimentoj, korrigjoj recetat. Në restorantin tonë recetat shkruhen, nga masat e sakta të përbërësve, e deri te të gjitha hapat që ndiqen për realizimin e saj. Asgjë nuk bëhet me sy, sepse dua që nëse dikush ha një pjatë që i pëlqen, ta gjejë njësoj edhe herën e dytë, e jo të thotë ‘ishte më mirë, apo më keq, apo ndryshe herën e parë’. Ndërrimi i një pjate në meny nuk është shumë i shpeshtë dhe aq më pak i shpejtë: duhet rreth një javë, që mendimi për një pjatë të re të kthehet vërtet në një pjatë të re të futur në meny. Menyja ndërrohet rreth shtatë-tetë herë në vit, kryesisht në varësi të stinëve”, thotë ai.
Fundim Gjepali, shefi ekzekutiv i restorantit “Antico Arco”, është vlerësuar në mars të këtij viti me çmimin e parë në “Çmimin e Madh Ndërkombëtar të Kuzhinës Mesdhetare”. Juria teknike me 7 anëtarë, e përbërë nga shefa të mëdhenj kuzhine, kritikë të njohur kulinarie dhe përfaqësues federativë të kuzhinierëve, e kryesuar nga shefi i shumëvlerësuar Michele Deleo, ka vlerësuar gatimet e 12 konkurruesve nga 11 vende prej tri kontinenteve të ndryshme: Evropë, Afrikë dhe Amerikë. Fundimi fitoi me gatimin e “mishit të qengjit në kore lajthish”.
Ai është shumë i ndjeshëm ndaj emigrantëve shqiptarë dhe gjuhës shqipe. Pak kohë më parë, bashkë me shefin Altin Prenga, në restorantin e këtij të fundit, kanë shtruar drekë për mbledhje fondesh për blerjen e Abetareve për bijtë e emigrantëve në Itali.
Top Channel