PD: Rama shtrembëroi fjalën e Weber

12/12/2014 00:00

Partia Demokratike ka akuzuar tw premten deputetin e PS-së Taulant
Balla, duke e cilësuar si gënjeshtar në lidhje me deklaratën e tij të
para pak ditëve, se PPE-ja vlerëson që kushtet e opozitës janë pranuar
nga qeveria.

Në një dalje për shtyp, zëdhënësja e kësaj partie, Oriela Nebiaj, tha se Edi Rama është përpjekur të deformojë deklaratat e kryetarit të PPE-së.

“Abuzimi dhe mashtrimi publik, si tipar i Edi Ramës, u shfaq edhe me përpjekjen e tij për të deformuar deklaratat e kryetarit të PPE, zotit Weber, – u shpreh zëdhënësja e PD-së. – Një akt skandaloz e i paprecedent, kur një kryeministër, përmes zëdhënësit të tij tashmë të cerfifikuar si shpifës, shtrembëron dhe manipulon një bisedë, duke u rrekur të ndërtojë një realitet që nuk ekziston. Kjo e ka detyruar z.Weber të përgënjeshtrojë publikisht deklarimet e rreme të zëdhënësit të Ramës”.

Nebiaj e ka cilësuar Ballën një ‘papagall’ të Ramës, duke bërë një politikë aspak serioze me partnerët e rëndësishëm evropianë.  “Manipulimet e Ramës në funksion të propagandës së tij, janë tregues i politikës aspak serioze dhe i amatorizmit në ndërtimin e raporteve me partnerët tanë të rëndësishëm europianë. Edi Rama po bën gjithçka, deri tek deformimi dashakeq i përmbajtjes së bisedave me zyrtarët e lartë evropianë, për të bërë të duket ndryshe, atë që nuk mund të duket ndryshe. Këto janë të vërtetat e mëdha që e bëjnë kauzën e opozitës të drejtë, dhe e bëjnë mjerane përpjekjen e Edi Ramës me manipulime deklaratash përmes “papagallit’ të tij Balla”, – përfundoi zëdhënësja e Partisë Demokratike.

Top Channel