Punësim apo papunësi?

11/12/2014 00:00

Për të folur mbi shifrat e fundit të tregut të punës të publikuara nga Instituti i Statistikave ishte i ftuar në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” Gjergj Filipi, drejtor i INSTAT.

Zoti Filipi shpjegoi me detaje rezultatet e tremujorit të tretë të vitit 2014. Ai theksoi se gjatë kësaj periudhe vërehet një rritje e kërkesave për një vend pune dhe kjo sipas tij është një sinjal pozitiv, pasi tregon se tregu i punës është bërë më dinamik.

***

Pandi Gjata: Zoti Filipi, dje keni bërë publike shifrat për tremujorin e tretë. Do të donim së pari rezultatet e kësaj periudhe në Shqipëri?

Gjergj Filipi: Në këtë rast bëhet fjalë për anketën e forcave të punës dhe për botimin e shifrave administrative që i takojnë 3 mujorit të tretë të 2014-ës. Rezultatet në këtë tremujor do të përmblidhen në tre tregues që prodhon kjo anketë. Së pari është shkalla e papunësisë, që për tremujorin e tretë është 17.4 përqind. Së dyti është shkalla e punësimit, e cila në rastin respektiv për popullsinë e moshës 15 deri në 64 vjeç është 52.3 përqind. Gjithashtu është edhe shkalla e pjesëmarrjes në tregun e punës, e cila është 63.4 përqind e popullsisë nga 15 deri në 64 vjeç.

Pandi Gjata: Në shifrat e publikuara rezulton se është rritur papunësia, por me këto që ju thoni janë shtuar edhe vendet e punës…

Gjergj Filipi: Njerëzit janë më aktiv në kërkimin e një vende pune, nëse e gjejnë këtë numërohen si të punësuar, nëse janë ende në kërkim të saj numërohen si të papunë, por ka edhe një gjendje të tretë që është inaktive. Rritja e shkallës së pjesëmarrjes është një sinjal pozitiv që tregon se tregu i punës është bërë më dinamik.

Pandi Gjata: Mbi 78 mijë të punësuar në këtë tremujor. Në cilët sektor ka qenë shpërndarja më e madhe e këtyre personave?

Gjergj Filipi: Duke krahasuar tremujorin e vitit të kaluar me tremujorin e këtij viti, kemi një rënie të numrit të inaktivëve, kemi një rritje të të papunëve dhe një rritje të të punësuarve. Ndërsa në termat relativ ka një dallim, shkalla e punësimit është raporti midis shqiptarëve në punë ndaj shqiptarëve në moshë pune, ndërsa shkalla e papunësisë është raporti midis shqiptarëve që kërkojnë punë ndaj forcës së punës, jo ndaj totalit të shqiptarëve në moshë pune. Përsa i përket normës së pjesëmarrjes, ajo raportohet mbi totalin e popullsisë në moshë pune. Kjo do të thotë se ato 78 mijë të punësuar i përkasin vetëm moshës 15 deri në 64 vjeç.

Pandi Gjata: Sektorët ku shpërndarja e këtyre të punësuarve është më e madhe…

Gjergj Filipi: Në tre ndarjet e mëdha që ne bëjmë janë bujqësia, industria dhe shërbimet, ku bujqësia vazhdon të dominojë. Një lajm i mirë është që edhe shërbimet kanë dominancë, pasi këtu janë të gjitha tregtitë me pakicë e shumicë, ndërsa industria është e ndarë në nxjerrëse dhe përpunuese. Në këtë tremujor vëmë re një ndryshim pozitiv, nëse bujqësia është rritur me 9.6%, krahasuar me atë të një viti më parë dhe shërbimet janë rritur me 6%. Kemi një rritje me 9.7% në industri, ku vlen të theksohet rritja në industrinë përpunuese, manifakturat, ndërmarrjet fason dhe rritja në këtë kontekst është 22%.

Pandi Gjata: Kthehemi edhe një herë te treguesi i papunësisë. Çfarë faktorësh kanë ndikuar në këtë rritje?

Gjergj Filipi: Këtu kemi dy fenomene, pasi është rritur numri i të papunëve ndaj vitit të kaluar, por është rritur edhe forca e punës, e cila është një lajm i mirë sepse numri total i atyre në punë dhe i atyre që kërkojnë punë është më i madh. Këto janë kontribuuesit potencial të vendit, këta janë njerëzit që duan të gjenerojnë të ardhura nëpërmjet punësimit. Ndërkohë, vihet re edhe luhatshmëria e shkallës së papunësisë. Është pak e çuditshme shkalla e papunësisë tek meshkujt e cila është pak më e lartë se tek femrat, ndërkohë që edhe shkalla e punësimit është më e lartë te meshkujt. Kjo tregon për natyrën e shoqërisë tonë, roli aktiv i mashkullit në kërkim të punës.

Pandi Gjata: A ka një rritje të kërkesës për punë?

Gjergj Filipi: Rritja e normës së papunësisë tregon që ka një rritje të kërkesës për punë. Janë rreth 90 mijë shqiptarë, të cilët ishin inaktiv para një viti dhe tani janë ose në punë ose që kërkojnë punë. Shkaqet mund të jenë të ndryshme, hapja e zyrave, por edhe ndërgjegjësimi i shoqërisë shqiptare që punësimi është një temë masive diskutimi. Punësimi është bërë pjesë shqetësuese e shoqërisë dhe kjo është një shenjë emancipimi. Tani dalin detyrat për akomodimin e këtyre të punësuarve, të cilët në një farë mënyre krijojnë këtë presionin, i cili është pozitiv.

Pandi Gjata: Sa të ndihmon një diplomë në gjetjen e një pune?

Gjergj Filipi: Ne jemi munduar të bëjmë një zbërthim të shqiptarëve të punësuar, duke i pyetur se me çfarë arsimi ata janë. Siç kuptohet arsimi i lartë të jep përparësi, por interesante është se ka filluar të ketë përparësi edhe arsimi profesional. Me arsim 9-vjeçar dominojnë punëtorët pa pagesë të familjes sepse e kanë më të vështirë të çajnë tregun e punës. Në arsimin e lartë dominojnë të punësuarit me pagë. Ndërsa arsimi i mesëm profesional ka kombinimin më të mirë të të dyjave, kanë mundësi vetëpunësimi, por ka edhe mundësi punësimi me pagë, por kanë mundësi të kontribuuojnë edhe si punëtorë pa pagesë. Por ky është një fenomen që i kalon kufijtë e tremujorit.

Pandi Gjata:  Sa të vërteta janë shifrat e INSTAT? Ja u bëjë këtë pyetje pasi ka pasur edhe polemika dhe debate. A ka edhe burime të tjera që sjellin mospërputhje të shifrave, në mënyrë të veçantë përsa i përket punësimit
?

Gjergj Filipi: Çdo ushtrim statistikor mbart në vetvete një marzh gabimi, natyra e statistikave është e tillë. Nëse pyetja juaj i referohet se sa të sakta i kemi ne shifrat nga pikëpamja cilësore në dallim me të njëjtat probleme që hasin edhe vendet e tjera, unë them se i kemi tërësisht të sakta. Nëse në pyetjen tuaj doni të thoni se sa manipulohen shifrat në Shqipëri, unë këtu ju jap një përgjigje akoma më të garantuar sepse është pjesë e punës së INSTAT-it dhe detyrim i INSTAT-it.

Pandi Gjata: Sa manipulohen ato?

Gjergj Filipi: Zero. INSTAT-i ndjek të vërtetën. A e gjen gjithmonë të vërtetën? Ne bëjmë më të mirën tonë për ta gjetur atë. A e ndikojmë atë që gjejmë? Absolutisht jo sepse gënjejmë veten tonë. Praktikisht ne jemi laboratori i analizave, mjekët janë ata që duhet të gjejnë diagnozën, farmacistët janë atë që duhet të shesin ilaçin.

Pandi Gjata:  Pra ka burime të tjera që nxjerrin mospërputhje shifrash…

Gjergj Filipi: Zero. Jo. Nga pikëpamja e laboratorit ne jemi burimi unik i shifrave zyrtare, nga pikëpamja e fenomenit, patjetër. Ka disa mënyra dhe burime sesi kuptohet një fenomen. Për punësimin ka disa institucione administrative të dhënash. Të papunët që foli INSTAT-i nuk kanë nevojë të regjistrohen në një zyrë, ata janë thjesht në kombinimin që japin ndaj pyetjeve standarde tonat. INSTAT-i nuk e ndikon individin e pyetur.

Top Channel