Problemet në zonat rurale, rrezik për braktisjen e shkollës nga fëmijët

11/12/2014 00:00

Të ecësh me orë të tëra në këmbë, të mos kesh ngrohje dhe ambient të pastër, të mos kuptosh tekstet e të stërmundohesh për të pasur një ditë të zakonshme mësimi, të gjitha këto mund të kthehen në kërcënim për shumë fëmijë, që ndjekin shkollën në zonat rurale dhe të largëta të vendit.

Një studim i kryer në periudhën 2 qershor-20 qershor të këtij viti, nga organizata “Partnerët për fëmijët” në bashkëpunim me Avokatin e Popullit, nxjerr sërish në pah kushtet e vështira, me të cilat përballen nxënësit e arsimit parauniversitar.

Puna në terren; e shtrirë në 17 shkolla të rretheve Kukës, Berat, Fier, Pogradec, Sarandë dhe Shkodër; evidenton se mungesa e ofrimit dhe mbulimit të shpenzimeve të transportit të fëmijëve në zonat rurale, ku familjet kanë të ardhura të pakta, mund të sjellë braktisjen e shkollës, ulje të rezultateve mësimore për shkak të problemeve të shpeshta shëndetësore, mosfrekuentimin në mënyrë të rregullt të orëve të mësimit, si dhe probleme të sigurisë së fëmijëve në distancën e largët drejt shkollës e anasjelltas.

Sipas studimit, një tjetër problem shqetësues janë kushtet në klasa, ku ka mangësi të theksuara dritaresh, xhamash, të bankave dhe karrigeve. Gjithashtu, ngrohja gjatë stinës së dimrit dhe mungesa e energjisë elektrike u sjell atyre probleme të shumta shëndetësore. Kushtet higjieno-sanitare janë një tjetër faktor problematik.

Gjatë punës në terren janë gjetur shkolla, që kundërmonin erë për shkak të tualeteve, ku mungon uji i rrjedhshëm. Shpesh – konkludon studimi, – nxënësit e këtyre shkollave lënë orët e mësimit për të përdorur tualetin e shtëpisë, për shkak të nivelit shumë të ulët të higjienës.

Trajtimi i nxënësve me aftësi të kufizuara, që shpeshherë lihen krejtësisht të mënjanuar, mungesa e psikologëve, apo tekstet mësimore të ngarkuara dhe ndonjëherë të pakuptueshme, renditen gjithashtu si problematike dhe me nevojën urgjente për të ndryshuar. Të gjithë këta faktorë konsiderohen si burim rreziku të braktisjes së shkollës nga ana e këtyre fëmijëve.

Top Channel