Tokio, Miranda “tërbon” të pranishmit me puthjen karakteristike

10/12/2014 00:00

Miranda Kerr ka shumë fansa në Japoni, ndaj dhe ideja për t’u bërë partnere me Samantha Thavasa nuk mund të ishte veçse një vendim i lehtë për ish-modelen, e cila u shfaq me një fustan të bardhë dantelle në një shfaqje mode të kësaj marke në Tokio, gjatë së mërkurës.

Kompania është e famshme për çantat e saj të dorës, gjë të cilën nxori në pah edhe Miranda, teksa bënte sfilatën e natyrshme në skenë.

Por, 31-vjeçarja tërhoqi vëmendjen edhe për figurën e saj për t’u pasur zili me fustanin e bardhë deri poshtë gjurit, i cili i shfaqte çdo formë të saj të përkryer.  Flokët e saj të gjatë anonin vetëm nga njëra anë, teksa në fytyrë kishte bërë një makeup të lehtë, duke mos prishur aspak bukurinë e saj natyrore.

Turma u shfaq e entuziazmuar për praninë e yllit australian në shfaqje, ndërkohë që ajo ua ktheu mirënjohjen e saj me stilin e veçantë të Miranda Kerr, duke u dhënë një puthje të gjithëve.

Miranda pozoi gjithashtu edhe në krah të modeleve të tjera, Miki Arimura, Yuri Ebihara dhe Mizuki Yakamoto. Edhe në muajin prill, modelja e cila tashmë është kthyer në një biznesmene që preferon të udhëtojë shumë, vizitoi sërish Tokion nga Nju Jorku, ku ka bazën e saj, për të promovuar gamën e fundit të Thavasas.

FOTO GALERI
2/10

Top Channel