Nis restaurimi i pazarit të Korçës

10/12/2014 00:00

Pazari i vjetër i Korçës, me vlera historike dhe monumentale, pas vitesh të tëra degradimi është duke iu rikthyer identitetit. I njohur për dyqanet e tij të shumta dhe strukturën me ndërtime një dhe dykatëshe, ky pazar për vite të tëra u përball me harresën, çka ka sjellë jo pak dëme.

Faktori kohë herë pas here i ka hequr këtij ansambli nga një pjesë, ia ka rrëzuar muret, ia ka shembur duke i humbur edhe shumë vlera.

Shumë prej objekteve  këtu janë shembur por për ato që sfiduan vitet, dimrin e ftohtë dhe verën e nxehtë, ka nisur rikonstruksioni pasi një fond prej 3 milionë dollarësh nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve do të përfshijë restaurimin e të gjitha ndërtesave të këtij ansambli.

“Në përfundim të projektit të restaurimit vjen faza tjetër, ajo e rivitalizimit të pazarit për të caktuar se çfarë aktivitetesh do të kryhen në këtë pazar. Bashkia dëshiron edhe atë të hotelerisë apo bare, restorante dhe shërbime artizanale”, ka deklaruar Sotiraq Filo, kryetar i Bashkisë Korçë.

Sipas të dhënave, 130 objekte të evidentuara nga specialistët kërkojnë ndërhyrje nga amortizimi, ndërkohë që rikonstruksioni i plotë pritet të përfundojë pas 18 muajsh.

Top Channel