Vlorë, banorët e kabinave të vjetra kërkojnë ndihmë

09/12/2014 00:00

Banorët e kabinave të vjetra të plazhit të Vlorës janë pa energji elektrike prej ditës së premte. OSHEE e ka ndërprerë furnizimin sepse janë debitorë.

Asnjë prej familjeve nuk ka një matës të instaluar në banesë dhe faturimi është bërë afrofe, ndërkohë që të 90 familjet që banojnë aty janë strehuar nga bashkia për shkak se kanë qenë të pastreha.

Ata i paguajnë bashkisë 3 mijë lekë për banesat dhe asnjëherë nuk kanë paguar energjinë elektrike. Zona ku ata banojnë është nga më të ndoturat nga mbetjet urbane, të cilat janë grumbulluar poshtë ballkoneve dhe dritareve të tyre.

Ndërtesat janë të amortizuara, ndërsa ujërat e zeza derdhen në hyrje të banesave. Shumë prej familjeve aty marrin ndihmë sociale nga bashkia e qytetit, për shkak të papunësisë, ndërsa një pjesë janë angazhuar në riciklimin e mbetjeve.

Të varfër në maksimum, këto 90 familje jetojnë edhe në kushte shumë të këqija dhe kërkojnë ndihmë.

Top Channel