Udhëton 10 000 km për të takuar një fëmijë me të njëjtën sëmundje

08/12/2014 00:00

Jono Lancaster, i prekur nga sëmundja e rrallë me emrin Treacher Collins, ka udhëtuar 10 000 kilometra (nga Londra në Adelaide) për të ngushëlluar një fëmijë të prekur nga e njëjta sëmundje e pakurueshme që sjell deformime të rënda në fytyrë duke penguar zhvillimin e rregullt të kafkës, faqeve dhe nofullave.

30-vjeçari Lancaster udhëtoi nga Anglia në Australi për të takuar 2-vjeçarin Zackary Walton. Britaniku është një nga përfaqësuesit më të famshëm të kësaj sindrome pasi ka qenë pjesë e disa dokumentarëve mbi aspektin e tij fizik dhe tani po bën një xhiro nëpër botë për të hedhur dritë mbi sëmundjen dhe për të hequr paragjykimet e njerëzve.

“Jam rritur me Treacher Collins. Ndihesha vetëm pasi nuk kishte asnjë tjetër që ngjante me mua. Do doja që kur isha i vogël të njihja dikë që dukej si mua dhe që të më thonte që mund t’ia dilja mbanë. Për këtë arsye doja të takoja këtë vogëlush, për t’i dhënë mbështetje”, tha Jono për ‘Adelaide Now’.

Top Channel