Aleksandër Mema, 15-vjeçari që krijon fima me efekte speciale

02/12/2014 00:00

Filmi është jeta e tij. Është vetëm 15 vjeç, por beson që gjithë vitet e tij t’i shpenzojë për të bërë filma. Këtë fantazi-dëshirë ka filluar ta vërë në jetë që në moshën 11-vjeçare, kur i nxitur nga dëshira për kinematografi dhe fantashkencë, krijoi subjektin e parë.

Askush nuk i ka mësuar se si kjo punë mund të funksionojë, por me dëshirën për të bërë ëndrrat realitet, Aleksandri iu fut “detit më këmbë” krejt i vetëm. Filloi të kërkojë e mësojë në internet se si funksionojnë programet e montazhit, se si mund të xhiroheshin skena të ndryshme të një filmi.

Për sa u takon subjekteve dhe skenareve, nuk e ka problem që në çdo moment të ditës të krijojë një ide të re.

E kështu ia nisi produksioneve të tij. Por, shumë shpejt iu desh edhe një ekip, për të vënë në jetë rolet. Ndaj krijoi edhe një grup bashkëpunëtorësh, të cilët janë motra e tij e vogël, shoku i tij dhe disa mikesha që kanë shfaqur interes të luajnë rolet e Aleksandrit.

Me pak fjalë, Aleksandri është skenarist, regjisor, montazhier, madje e ka merak në këtë punë, që filmave t’u vendosë edhe efekte speciale dhe, këtë gjë sigurisht që nuk ia ka mësuar njeri.

“Po bëhem gati për skenën e radhës, kam rolin e së keqes, ndaj po grimohem për këtë rol në film. Për grimimin më ka mësuar motra më e madhe, ngjyrat që po përdor momentalisht janë lejla, e zezë dhe e bardhë”, thotë motra e vogël.

Për mamin e tij, Valbonën, sipërmarrja e djalit ishte një telash, jo vetëm i saji, por për të gjithë shtëpinë, e cila u kthye në një sheshxhirimi.

“Ka qenë shumë e vështirë në fillim që ta pranoja. Por ishte ajo politika e derës së vogël: në fillim më solli vetëm një ‘aktor’ në shtëpi, e më pas ia arriti qëllimit që të më mbushte mendjen, duke sjellë deri në 6 vetë. Është bërë një grup i madh, të cilët bëjnë edhe aktorët edhe të tjerat që përmendët ju. Nuk është e thjeshtë për t’u përballuar, është thjesht një sakrificë për t’u bërë. Por ia vlen, sepse duke parë djalin të lumtur, jam edhe unë e lumtur”, shprehet e ëma, Valbona.

Aq seriozisht e ka ndërtuar Aleksandri këtë punë të tijën, sa që grupit të bashkëpunëtorëve u ka siguruar edhe një grimier. Ai është miku i tij Marvi.

Po garderobën për të veshur aktorët, ku e siguron? Sepse një film i vërtetë, duhet të jetë i kopsitur në të gjithë komponentët.

“Aleksandri në përgjithësi përdor garderobën time. Mund të jenë rroba të miat që kanë dalë jashtë mode, jashtë mase ose jashtë moshe”, vijoi më tej Valbona.

“Kjo pardesyja rri shumë mirë te një vajzë e vogël, sepse kur ka bërë ato rolet e këqija kjo shkon deri në fund të këmbëve dhe me një palë çizme të gjata, është perfekte për të krijuar idenë e Aleksandrit për personazhin e vet”, shpjegoi Valbona.

Kështu që në familjen Mema, asgjë e vjetër nuk shkon dëm. Veshjet e mamit, sende të vjetra, të gjitha përfundojnë në garderobën e filmave dhe rekuizitën e Aleksandrit.

“Ai krijon ngjarjen me personazhet e saj. Që personazhi të dalë sa më i besueshëm dhe ngjarja sa më dramatike, sepse në përgjithësi preferon skena aksioni, duhet të jetë i kompletuar deri në detaje edhe nga pamja e jashtme, nga “look”-u. Ai e pikturon njëherë personazhin e vet me veshjen që mendon t’i japë, dhe pas një jave apo dy personazhi do të kompletohet për të filluar xhirimet”, shprehet Valbona.

Aleksandri nuk ka lejuar, që idetë e tij për filma të jenë thjesht një fantazi për fëmijë. Ai ka realizuar disa të tillë, madje ka krijuar dhe një kanal të vetin në Youtube, ku publikon të gjithë filmat. Një prej punëve të tij më të fundit, parodia e këngës “Black Ëidoë”, ka marrë mbi 12 mijë klikime.

Top Channel