Kalvari i një shtatzëne, që nuk e merrte askush përsipër

01/12/2014 00:00

Rreth 3 vite më parë, në maternitetin “Koço Gliozheni” erdhi në jetë një vajzë. E shëndetshme dhe me të gjitha parametrat jetësorë normalë, por me një kërcënim të madh. Rrezikun për të qenë bartëse e virusit HIV, sepse nëna e saj ishte prekur nga kjo sëmundje.

Ende pa lindur, ajo vogëlushe u ndodh para vështirësive, sepse asnjë mjek nuk merrte përsipër ta sillte atë në jetë.

Ne u njohëm me këtë histori dhe bëmë të mundur, që autoritetet e maternitertit “Koço Gliozheni” ta merrnin përsipër dhe ta trajtonin rastin.

“Ishte një operacion i zakonshëm për stafin tonë, hyn në ato operacione që kryhen përditë dhe normalisht. Nuk kishte asgjë të veçantë si operacion, por e veçanta qëndronte se ishte një paciente e infektuar nga HIV-i. Gjë që do të thoshte se ne duhej të merrnim masa mbrojtëse më shumë se ç’ndodh zakonisht”, shprehet mjekja Merita.

Ndërkohë, gjithë periudha e shtatzënisë së gruas ishte një makth.

“Mjeku që ndjek shtatzëninë time e di që jam HIV-pozitiv ndaj dhe nuk pranon të më prekë me dorë. Thjesht më bën një eko dhe asgjë tjetër, kështu e ndjek shtatzëninë time”, thotë nëna e infektuar.

Nga studioja e “Pasdite në Top Channel”, nëna kandidate, e cila do të sillte në jetë fëmijën e saj të tretë, mori garancinë e drejtoreshës së maternitetit, se rasti i saj do të trajtohej nga mjekët e këtij institucioni shëndetësor.

“Ne shprehim të gjithë gatishmërinë tonë si institucion. Unë marr përsipër ta them këtë dhe zonja do të jetë vërtet e mirëpritur aty, padiskutim”, shprehej Rubena Moisiu, drejtoresha e “Koço Gliozhenit”.

Por, cila ishte historia e nënës 30-vjeçare me HIV? Si e kishte marrë ajo virusin dhe çfarë ndodhte me bashkëshortin dhe fëmijët e saj?

“Kam pesë vite që kam mësuar se jam e infektuar me HIV, ndërkohë që kam edhe dy fëmijë gjithashtu të infektuar. Praktikisht të gjithë familjen, pasi edhe burri është HIV-pozitiv”, ka thënë atëherë e infektuara.

Çifti as që e imagjinonte se me çfarë drame do të përballej martesa e tyre. Sëmundjen do ta mësonin pasi kishin sjellë në jetë dy fëmijë.

“Djalin e kemi pasur vazhdimisht me temperaturë dhe e shtruam në spital. Aty bëmë analizat në Institutin e Shëndetit Publik dhe rezultuam të gjithë të prekur nga virusi. Asnjëri nuk e di këtë, as të afërmit”, është shprehur nëna e infektuar.

Edhe pse me dy fëmijë të prekur nga HIV-i, nëna mbetet sërish shtatzënë.

“Kjo ishte thjesht një rastësi, nuk e prisnim, por ndodhi. Shkova për ta hequr fëmijën, u tregova se isha HIV-pozitiv dhe ata nuk pranuan. Në fillim nuk pranuan mjekët, ndërsa më pas vendosa ta mbaj atë”, tha shtatzëna.

Top Channel