Vargjet e mëposhtme të poetit Azem Shkreli na fokusojnë tek ajo çfarë mendojmë dhe ndiejmë për veten. Dhe ky takim ndodh zakonisht para pasqyrës. Është ajo që na vë vazhdimisht në dukje, raportin që kemi me veten.

Sikur të takoheshim me vetveten sy më sy,
do të putheshim apo kishim për t’u pështy?

“Çfarë i themi vetes kur dalim para pasqyrës? Tani neve nuk e kemi më atë moshën të mendojmë se si dukemi para pasqyrës, kemi hallin e fëmijëve, na iku mosha”, thotë një qytetare.

“Tani, vetja nuk më duket e shëmtuar, mirë dukem. Të paktën nuk kam filluar ende ta urrej veten”, thotë një tjetër qytetare.

“Zgjohemi çdo mëngjes e dalim para pasqyrës, gjithë kohën duke u parë. Si jemi tani apo si do jemi pastaj. Por varet se si zgjohem, ndonjëherë më pëlqen vetja, ndonjëherë jo”, shprehet një vajzë e re.

“Çfarë të them unë, nuk më duket vetja shumë i bukur”, shton më tej një i ri.

“Para pasqyrës them sa bukur dukem, sa mirë më rrinë flokët… I bëj qejfin vetes në çfarëdo lloj mënyre”, thotë një tjetër e re.

“Kemi raporte të mira me pasqyrën, rri aq sa duhet, jo më shumë. Sepse sa më tepër të qëndrosh para saj të hipën vetja në qejf. Ndaj kemi raporte jo shumë të tepruara”, thotë një tjetër vajzë e re.

Studiues të shumtë flasin për atë, që shpesh quhet profeci vetjake. Se si në të vërtetë, mënyra se si mendojmë dhe çfarë presim, realizohet pikërisht ashtu siç e kishim parashikuar, për mirë apo për keq.

“Shihem në pasqyrë dhe them dukem mirë. Por kur dal jashtë, kur këtë gjë ma konfirmon edhe shoqëria, atëherë kthehem te kujtimet e momentit të parë dhe them paskam pasur të drejtë në mëngjes”, thotë njëra prej të rejave.

“Përgjithësisht kur më bëjnë komplimente buzëqesh dhe vazhdoj ditën normalisht, nuk i vë shumë rëndësi”, thotë një tjetër.

Kujdesi për veten gjithashtu është tregues i rëndësishëm dashurie.

“Mëngjesin, zakonisht 30 minuta ia kushtoj vetes përpara pasqyrës, sepse bëhem gati të iki në punë. Pastaj, mund të dalë ndonjë pasdite të shtunë apo të dielë për të pirë ndonjë kafe, dhe sigurisht që do rregullohemi disi. Për pjesën tjetër, merremi me shtëpinë, fëmijët. Nuk e kemi shumë mundësinë që të merremi me veten”, thotë një grua.

“Varet edhe nga gjendja ekonomike. Të kujdesesh për veten, apo ta duash veten, duhet edhe të kesh për të shpenzuar, ndaj dhe gjithçka fillon nga ekonomia”, thotë një tjetër grua.

Edhe pse mund të ketë diskutime të shumta, në një pikë të gjithë biem dakord:

“Po nuk deshe dhe respektove veten tënde, nuk mund t’i duash apo respektosh të tjerët”, thotë një qytetare e intervistuar.

Gjithsesi, specialistët tonë thonë se në shoqërinë tonë nuk na mësohet se si ta duam veten. Mësohet se ta duash veten është egoizëm. Ndoshta, ndaj dhe marrim kohë të mendohemi për pikëpyetjen, që ngre poezia e Shkrelit.

Top Channel