“Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë”

21/11/2014 00:00

“Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë” është libri i shkrimtares Mira Meksi, i cili u promovua në Tiranë.

Një roman, i bazuar edhe në kërkime ndër vite mbi historinë e lashtë, i cili në qendër të tij ka figurën e Teutës së Ilirisë.

Teutën mbretëreshë, luftëtare, por edhe gruan e dashuruar, gjendjen e saj mes shpirtit dedikuar Ilirisë dhe zemrës së saj, të pushtuar nga dashuria e pamundur për një mashkull.

Sipas vetë autores, brendësia e romanit është histori, por edhe magji, fantazi, mite, gojëdhëna dhe legjenda.

“Nuk mbaron jeta e një romani me procesin e të shkruarit, përkundrazi, tani bëhet fjalë për një jetë më të gjerë të romanit në një dimension komplet tjetër. Lexuesi i mirë do ta jetësojë në një tjetër dimension romanin mbi Ilirinë dhe Teutën e Ilirisë. Shpresoj dhe uroj që kjo rrugë nëpërmjet jush, nëpërmjet leximit ta çojë këtë roman drejt kujtesës kolektive, ashtu siç është i ngjizur me kujtesë”, u shpreh Mira Meksi, autore e “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë”.

“Prej vitesh Mira Meksi është mjaft e njohur për stilin dhe gjuhën e pasur, për zhdërvjelltësinë e frazës dhe pasurinë e fjalorit, për fjalëformimet e reja dhe për përdorimet plot fantazi të fjalëve që qëndrojnë mirë në trup të gjuhës shqipe. Rumani i Mira Meksit, për mua, është romani më i mirë jo vetëm i autores, por dhe një nga romanet më të mira të letërsisë shqipe të shkruar në 20 vjetët e fundit”, tha shkrimtarja Diana Çuli.

Ata që e kanë lexuar romanin, e kanë konsideruar përjetimin e faqeve të tij, si një kthim pas në kohë, në shekullin e tretë para Krishtit, periudhë së cilës i referohet.

Top Channel