“11 vitet që bashkëjetova me ankthin”

19/11/2014 00:00

Për 14 vite gjithë vëmendjen ajo e përqendroi tek vetja. Jo në pikëpamjen fizike, por atë shëndetësore derisa 3 vite më parë mësoi se vuante nga Crregullimi i Ankthit të Somatizuar.

“Kam qenë aq e zënë me veten time saqë nuk e kam vënë re sesi isha me të tjerët. Kujdesesha për veten, për higjenën. Kujdesesha të ulesha në vende të pastra dhe të mos pija ujë në lokal. Edhe kur i takoja njerëzit, vetëm u jepja dorën. Nuk i përqafoja, edhe nëse ishin njerëz të afërt”, tregon 36-vjeçarja, problemet e së cilës nisën që në moshën 22-vjeçare.

Jetonte çdo çast me makthin se ishte e sëmurë ose do të prekej nga çdo lloj sëmundjeje që ajo dëgjonte.

Gjithçka nisi me rrahje të shpeshta të zemrës, marrje mendsh, mungesë oreksi, dridhje e gjendje ankthi që sa vinte e shtohej. Në fillim nuk e mori shumë seriozisht këtë gjendje, por u mjaftua me disa qetësues të marrë në farmaci.

Por qetësuesit nuk po ndihmonin aspak që kjo gjëndje të kalonte. Ajo e gjente veten si të zënë në kurth në një rreth vicioz nga i cili nuk shkëputej dot.

“Kisha një frikë të papërshkrueshme dhe nuk e kuptoja pse. Thjesht kisha frikë. Nuk dilja më nga shtëpia. Cdo sëmundje që dëgjoja mendoja se e kisha edhe unë. Cdo lloj sëmundje tjetër që dëgjoja e identifikoja tek vetja ime. Kisha frikë mos e kisha dhe shkoja tek mjeku për kontroll. Kur dëgjoja për sëmundje në zemër, nisja të kisha shqetësime në zemër. Nëse dëgjoja diçka për kokën, kisha dhimbje koke”, tregon gruaja.

Kjo ishte jeta e saj për plot 10 vjet. Derisa një ditë e pa veten shumë keq: “Vetëm sot po e kujtoj sepse nuk dua ta kujtoj atë ditë. Kam qenë në banjo dhe papritur nuk ndjeja më asgjë. I thirra me sa munda mamit. I thashë të thërriste ambulancën, më bënë qetësues dhe më thanë që nuk kisha asgjë, thjesht stres. Unë nuk e besova dhe shkova bëra ekografi. Pasi nuk doli asnjë problem me zemrën, shkova te psikiatrja.”

U diagnostikua me çrregullim të ankthit të somatizuar: “U ndjeva e paragjykuar për vizitën te psikiatri, prandaj këtë intervistë nuk po e jap me fytyrë. Kam frikë që nuk e kuptojnë këtë lloj sëmundjeje dhe do të thonë se nuk jam me ankth, por kam probleme psiqike.”

Vetëm gjatë këtyre 3 viteve ajo arrin të kuptojë se çfarë dëmesh i ka shkaktuar vetes. Ka humbur shume në marrëdhënie me njerëzit e afërt dhe në aspektin financiar.

“Analizat ishin të përmuajshme, kam bërë vizita të tjera të kushtueshme si ezhe të kokës, eko abdominale etj. Duke qenë se besimi ishte më i fortë në privat, shkoja dhe i bëja analizat aty. Kam shpenzuar edhe 24 000 lekë të reja në ditë”, tregon 36-vjeçarja.

Që prej vizitës së parë tek psikiatri, jeta e saj ka ndryshuar: “Jam energjike, optimiste, bëj plane si çdo njeri tjetër. Nëse do të kisha shkuar që në fillim tek specialistja, nuk do të kisha kaluar 10-12 vjet kështu. Specialistët të ndihmojnë të jesh ai që ke qenë.”

Top Channel