Lista e personave më të kërkuar për krime kundër natyrës

18/11/2014 00:00

Interpoli publikoi listën me nëntë personat më të kërkuar për krime serioze ndaj natyrës dhe botës së egër.

Sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara trafiku i lidhur me krimet kundër natyrës, sidomos ndaj kafshëve të vendosura në listën e specieve në zhdukje, qarkullon çdo vit 213 miliard dollarë.

Është hera e parë që në shënjestër të autoriteteve ndërkombëtare në mbrojtje të natyrës vendosen individë të veçantë, duke hequr dorë nga metodat e tradicionale të mbrojtjes së kafshëve dhe natyrës.

Hetues nga 21 vende të ndryshme u mblodhën në muajin tetor në Francë për të koordinuar punën dhe përcaktuar objektivat. Nëntë janë emrat e vlerësuar si më të rrezikshmit.

Pesë emrat më të kërkuar janë Feisal Mohammed Ali, ndjekur nga Ahmed Kamran, Adriano Jacobone, Ariel Bustamante Sanchez, Nicolaas Duindam.

Interpoli ka kërkuar bashkëpunim me publikun për të siguruar informacion mbi vendndodhjen e të kërkuarve.

Top Channel