Matiç: Humbëm 3 pikë për shkak të tifozëve budallenj

14/11/2014 00:00

Në prag të ndeshjes ndaj Danimarkës në Beograd, futbollisti serb Nemanja Matiç ka folur sërish në lidhje me incidentet e ndodhura në stadiumin e Partizanit të Beogradit ndaj Shqipërisë.

Futbollisti i Chelsea-t u shpreh se Serbisë u hoqën 3 pikë për shkak të disa tifozëve, të cilët ai i cilësoi si budallenj.

“Prej disa tifozëve budallenj humbëm tre pikë. Kjo duhet të marrë fund. Ndaj Danimarkës na duhet të luajmë në një stadium të boshatisur dhe kjo sigurisht që na penalizon. Nuk është e njëjta gjë të kesh mbështetjen e 25 mijë tifozëve dhe të luash në një stadium të boshatisur”, transmeton Kurir.

Sipas lojtarit të Serbisë, ai dhe shokët e tij donin që takimi të vazhdonte të luhej, pasi ata janë profesionistë dhe e vetmja gjë që i intereson është futbolli i luajtur.

Serbia do të luajë ditën e sotme ndaj Danimarkës në Beograd, pa tifoz, për shkak të trazirave me Shqipërinë.

Top Channel