Ndue Lalaj, njeriu që fiku dje 100 qirinj

13/11/2014 00:00

Ai mban 1 shekull mbi shpinë. Është lindur më 12 nëntor të vitit 1914 dhe dje, më 12 nëntor të 2014-s, mbushi plot 100 vjeç.

Ndue Lalaj, apo Gjenerali siç fisi e thërret, është lindur në fshatin Baz të Matit. Përgjatë një jete shekullore ai ka kaluar shumë histori, krahas historisë që ka ecur me të. Dhe ata, që lumturojnë më shumë sot për jetëgjatësinë e lalë Ndues, janë djemtë dhe vajzat e tij.

“Babai jonë feston sot 100-vjetorin. Ka shumë fëmijë, ka nipa e mbesa, ka një jetë shumë të lumtur. Ai dhe ne me të gjithashtu, pavarësisht se nëna ka vite që nuk jeton më. Megjithatë ne jemi shumë të kënaqur, sepse kemi babën, motra e vëllezër jemi shumë, nipër e mbesa kemi po shumë, ndaj dhe s’kemi pse të qahemi”.

Me gjithë problemet e kujtesës, Ndue e ka të pamundur të arrijë të fshijë nga kujtesa vitet e tij të shkollimit, që në jetën e tij kanë qenë një pikë kyçe.

“Unë jam shkolluar në Tiranë, më pas në Itali, në Napoli 5 vjet e në Modena”.

E sot, për ta nderuar gjyshin dhe për të gëzuar për jetën e tij të gjatë, është mbledhur e gjithë familja.

“Ai flet si të kishte një kujtesë të mrekullueshme, është për t’u pasur zili. Unë që po flas jam nipi i tij dhe jam gjysh, imagjinojeni se si mund të ndjehem kaq fëmijë përpara tij. Jam shumë i kënaqur, jo se marr pjesë në ditëlindjen e një 100-vjeçari, të dajës tim, por mund të thoja se marrim pjesë në ditëlindjen e një Gjenerali. Ai nuk e ka yllin, por do ta kishte, sepse ka mbaruar Akademinë Ushtarake në Modena. Ai është një shembull absolut për ne sot”, tha nipi i tij.

Shumë prej familjarëve kanë ardhur nga emigrimi për të festuar ditëlindjen e njeriut 1-shekullor.

“Sot kam ardhur të festoj ditëlindjen e gjyshit, i cili mbush 100 vjeç dhe i uroj të bëhet edhe 100 të tjera. Nëse do ia arrijë? Sa më shumë aq më mirë për ne”, tha nipi i Italisë.

Në një datëlindje kaq speciale, sigurisht që edhe urimet duhet të jenë shumë të veçanta.

TCH: Zakonisht në një ditëlindje, ne i urojmë personit që feston të behet 100 vjeç. Po gjyshit çfarë do t’i uroje tani?

“I urojmë edhe 100 të tjera dhe, meqë është pak i vjetër dhe plakën nuk e ka, shpresojmë ta martojmë edhe njëherë, kam ndërhyrë në një plakë. Ndoshta këto 100 vjet që i kanë ngelur mund të vijë duke u rinuar. A e ka pranuar ofertën gjyshi? Si të mos e pranojë, jam nipi më shakaxhi i tij”, shprehet me humor Alfredi.

“Si nuse e nipit të tij, por që jetoj në një shtëpi me të, më takon edhe mua të kujdesem për të, meqë është moshë e vjetër dhe ka nevojë për përkujdesje. Nuk dua ta them, sepse nuk është kënaqësi, por çfarë të jetë shkruar le të bëhet dhe unë do të përkujdesem për të deri në fund”, thotë Nora, nusja e shtëpisë.

Ndue dhe bashkëshortja e tij e nderuar, e ndarë nga jeta para 10 viteve, kanë sjellë në jetë 3 djem dhe 6 vajza. Por, në fund të 100 viteve ai ka rreth vetes një familje shumë më të madhe.

“Jemi 68 nipër e mbesa që jetojmë, ndërkohë që edhe ne kemi 60 fëmijë të tjerë, apo stërnipër e stërmbesa të gjyshit. Më të voglat, që kanë ardhur tani në jetë, janë dy binjake duke kompletuar 60 gjithsej”, thotë Violeta.

Gjyshi ka jetuar gjatë dhe historinë e Shqipërisë në 100 vite ua ka përcjellë të gjallë brezave.

“Ka qenë ofiecer madhor në kohën e Zogut, ndërkohë që në komunizëm ka vuajtur shumë, sepse e kanë trajtuar në mënyrën më të keqe të mundshme, kështu që kemi gjithë argumentet e nevojshme për ta festuar. Pasi ia ka dalë mbanë luftrave, tashmë ai feston ‘shekullin’ e tij dhe e meriton ta bëjë në mënyrën më të mirë të mundshme”, thotë Alfredi.

Dje, Ndue mbylli kapitullin e tij shekullor, për të pritur ditën e re (të sotmen) të një shekulli të ri për të.

Top Channel