“Prej 50 vitesh shkruaj ditarin për familjen dhe fshatin”

30/10/2014 00:00

51 vite më parë Rrapo Hoxhaj nga Cakrani i Fierit nisi të mbante ditar personal. I frymëzuar nga xhaxhai Bajrami, që po ashtu mbante ditar, ai shkruajti përvojën e jetës ushtarake në zonën e Bilishtit, gjatë vitit 1963 ku shërbente si ushtar. Që nga ajo kohë, dëshira për të dokumentuar u shtua me kalimin e viteve, duke krijuar një arkivë për familjen dhe fshatin.

“Koleksioni nisi herët tek unë dhe vazhdon deri më sot. Gjithë kalendarët dhe ditarët i kam ruajtur. 60 u bënë deri në vitin ‘70, 80 deri  deri në vitin ‘80 dhe 90 deri në 2000 e këtej në vazhdim”, rrëfen ai.

Ditarët i ruan me shumë fanatizëm në sirtarin e dhomës së gjumit.Pamundësia për të patur blloqe të mirëfillta ka bërë që në vend të tyre të përdorte libreza uji apo kapakët e faturave të energjisë elektrike.

“Ka patur raste që nga fshati më kanë pyetur kur ka ndodhur kjo e kur ka ndodhur ajo”, deklaron Rrapo.

Di me detaje cdo gjë që ka ndodhur gjysmëshekullin e fundit, por viti më i rëndësishëm në jetën e tij mbetet 2009-ta.

“Sot mbushën 50 vjet që kur jemi martuar unë dhe Atifeja. U martuam sipas zakonit. Për ne në dasmë u mblodh gjithë vëllazëria, miqësia dhe shoqëria. Gjatë këtyre 50 vjetëve në të dy kemi jetuar si dy shokë të mirë”, shkruan ai në ditarin e tij.

Kur dikush do të dijë diçka me saktësi në fshat, nuk e mendon dy herë për të shkuar tek 75-vjeçari, i cili ka fituar famë jo vetëm në Cakran.

“Gjatë këtyre 50 vjetëve janë hedhur në ditar martesat, të gjitha martesat që janë bërë, të kushërinjëve, të vëllezërve, nipërve, mbesave dhe të tjerë. Ashtu siç edhe vakitë”, thotë ai.

Nëse të gjithë në fshat kanë harxhime në konsumin e përditshëm, Rrapo shpenzon për blloqe dhe stilolapsa. Kur nuk shkruan, kohën e kalon duke u kujdesur për delet apo me bashkëshorten.Mendjen e ka të ndarë, do të arkivojë çdo gjë që i ndodh me saktësi befasuese, deri sa të ketë mundësi.

Top Channel