Doreza kikboksi për Nermin Bajramin

22/10/2014 00:00

Kikboks?! Pse jo… Nermin Bajramit i përshtatet shumë në temperament.Vajza energjike nga Saranda ka 1 vit që ushtrohet në disiplinën që shumë pak femra kanë guxuar. Teksa e sheh me doreza, e ke të vështirë të besosh që Nermini ka një tjetër anë të butë.

Në shoqëri njihet si shpirti i grupit, kjo mbase për natyrën rebele që përpiqet të luftojë padrejtësitë sa herë përballet me to. Në moshë fare të vogël, Ina, siç e thërrasin shoqëria, ushtrohej në palestër, frymëzim që i erdhi pikërisht nga filmi i famshëm “Karate Kid”, me të cilin u rrit.

Pas temperamentit paksa të hedhur fshihet një vajzë që i do shumë kafshët. Në shtëpi mban një breshkë uji dhe dy hamster, që pa më të voglin diskutim janë pika e saj e dobët. 24-vjeçares nuk i mungon shpirti artistik. Ajo shkruan poezi, ka pasion këngën dhe biblioteka e saj është për tu admiruar.

Prej kohësh shtëpinë e ndan me një mikeshë nga Kosova. Edhe pse ka studiuar për planifikim urban, e reja ka dëshirë të nisë Akademinë e Arteve në degën e aktrimit. E vështirë? Jo!!! Për Nerminin asgjë nuk është e pamundur, ajo pret vetëm t’i tregojë botës se çfarë di të bëjë.

Top Channel