Sistemet luftarake të së ardhmes

08/10/2014 00:00

Dikur kemi luftuar me shkopinj, më pas me shpata e heshta, për të mbërritur tek epoka moderne, ajo e barutit.

Që prej nisjes së kësaj epoke zhvillimet kanë qenë të mëdha, konfliktet po ashtu (kujtoni këtu dy luftërat botërore) dhe strategjitë e luftës kanë ndryshuar goxha.

Sot përparësi kanë mjetet e blinduara të kombinuara me një inteligjencë artificiale të lehtë. Po në të ardhmen? DARPA, (Defense Advanced Research Projects Agency) agjencia amerikane e kërkimeve të avancuara në fushën ushtarake, pjesë e Pentagonit, thotë se në të ardhmen makineritë e luftës do të jenë në gjendje të shmangin armikun dhe të depërtojnë në brendësi të tij pa u vënë re.

Sigurisht një strategji e tillë nuk mund të zbatohet nga një tank. Pesha dhe përmasat e këtij mjeti vështirë se e bëjnë “të padukshëm” për armikun, ndaj agjencia amerikane ka nisur punën me disa projekte për ndërtimin e një mjeti të shpejtë, inteligjent dhe të mirëarmatosur, dhe më kryesorja, i kontrolluar në distancë.

Bëhet fjalë për projekte të mbledhura gjatë viteve 2004-2007 nga agjencia amerikane nëpërmjet një serie konkuresh të organizuara në ato kohë, si pjesë e një plani të hartuar prej kohësh për modernizimin ushtarak të SHBA-ve i quajtur “Sistemet luftarake të së ardhmes”.

Top Channel