Në mitologjinë greke, Herakliu, apo Herkuli, i biri i Zeusit, kreu 12
bëma, të cilat ishin jashtëzakonisht të vështira dhe shumë të
rrezikshme.

Por mposhtja e luanit apo kuçedrës duhet të kenë qenë një shëtitje në park krahasuar me bëmat që duhet të realizonte presidenti rus Vladimir Putin.

Të paktën kjo është përshtypja që krijohet nga një ekspozitë e hapur sot në Moskë me rastin e ditëlindjes së shefit të Kremlinit, ku ai portretizohet si heroi i mitologjisë greke.

Në disa prej pikturave të realizuara, shumë nga armiqtë e Herkulit janë zëvendësuar nga përbindëshat modernë, siç është terrorizmi.

Gjithashtu, në njërën prej tyre Putin shfaqet duke u kacafytur edhe me kuçedrën shumëkokëshe, që në këtë rast supozohet të jenë sanksionet e Perëndimit.

Nuk mungon edhe lufta “herkuliane” e presidentit rus kundër korrupsionit, në një tjetër vepër, ku ai është i rrethuar nga kuajt.

Ekspozita është organizuar nga Grupi i Mbështetësve të Putin në rrjetin social Facebook, ndërkohë që artistët që kanë bërë pikturat mbeten mister.

“Ata duan të mbeten anonimë”, ka sqaruar një nga anëtarët e grupit, Mikhail Antonov për BBC. Pikturat janë një dhuratë speciale për ditëlindjen e presidentit, i cili mbush 62 vjeç.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel