Biznesi: Qeveria të luftojë informalitetin

03/10/2014 00:00

Biznesi i kërkon Qeverisë të luftojë informalitetin, pasi po dëmton ndërmarrjet që janë korrekte me shtetin.

Drejtoresha ekzekutive e Dhomës Amerikane të Tregtisë, Floreta Luli Faber thotë se aktualisht informaliteti i lartë është pengesa më e madhe për të bërë biznes në Shqipëri.

“Nëse kompanitë shikojnë që ka një përmirësim në raport me marrëdhëniet e tyre me tatimet, një përmirësim gjithashtu të dukshëm, në raport me doganat, ato shikojnë që jo të gjithë paguajnë, jo të gjithë përdorin kasat fiskale dhe një rritje masës së kompanive që janë të regjistruara dhe që paguajnë tatimet në bazë të kërkesave ligjore, kjo do të rriste edhe më shumë nivelin e bërjes biznes në këtë vend”, thotë drejtoresha.

Kur kanë nisur tashmë diskutimet për paketën fiskale të vitit të ardhshëm, ndryshe nga herët e tjera, këtë radhë kërkesat kryesore të biznesit nuk janë për ndryshim taksash, por për rregulla të barabarta loje dhe më shumë siguri.

“Kërkesat janë që të rriten sa më shumë rregullat e lojës që të ketë sa më shumë mundësi që t’i drejtohen gjykatës dhe të marrin përgjigje drejtpërdrejt. Shpresojmë që Gjykata Administrative të ndihmojë në këtë proces dhe të kemi mundësi paralelisht që të gjithë sistemet rregullatore të funksionojnë”, thotë Faber.

Ndërsa në krahun e politikave, kërkesa më emergjente për Dhomën Amerikane është rishikimi i tatimit mbi të ardhurat personale. Sipas Faber, progresiviteti aktual i tatimit mbi pagat, me tre shkallë 0, 13 dhe 23 për qind është i rëndë dhe nxit evazionin.

“Ka një kërkesë që të ulet niveli i diferencës së taksimit ndërmjet pagave, sepse eksperienca tregon që ka një diferencë shumë të madhe dhe duket sikur kjo krijon ambient që njerëzit mundohen t’i shmangen tatimit, sidomos për rrogat e larta”, tha Faber.

Paketa fiskale e këtij viti, e rriti barrën e taksave për qytetarët dhe biznesin me 20 miliardë lekë. Fondi Monetar Ndërkombëtar paraprakisht ka bërë të ditur se për vitin e ardhshëm do të kërkojë një tjetër raund konsolidimi në financat publike, sërish përmes ndërhyrjeve tek taksat.

Top Channel