FMN jep shifrat për Shqipërinë, ja sa pritet të rritet ekonomia dhe në çfarë niveli parashikohet të jetë inflacioni Qeveria ka miratuar një projekligj përmes të cilit do të rrisë çdo vit taksat e duhanit për tre vitet e ardhshme. Edhe pse vendimi është një akt fiskal, ai nuk u njoftua nga Ministri i Financave, por nga ai i Shëndetësisë, i cili tha se kjo politikë synon të mbrojë shëndetin e qytetarëve.
“Edhe pse ky është formalisht një akt fiskal, besojmë se frenimi i duhanpirjes do të ketë impakt të drejtpërdrejtë në përmirësimin e kujdesit shëndetësor të qytetarëve, por edhe impakt social dhe ekonomik”, tha Ilir Beqaj.
Në fillim të këtij viti qeveria e rriti me 28.5 për qind akcizën e cigareve, nga 70 në 90 lekë për paketë. Madje, që në atë kohë ajo e kishte parashikuar në buxhetin afatmesëm se rritja do të vazhdonte me 10 lekë për paketë në vit deri në 2017.
Por, burime thanë për Top Channel se me aktin e fundit qeveria e ka rënduar masën e rritjes. Kreu i shëndetësisë nuk i bëri publike shifrat, por tha se përmes këtij vendimi qeveria synon ta barazojë akcizën me vendet e BE-së, edhe pse në këto vende të ardhurat mesatare për frymë janë tre herë më të larta se në Shqipëri.
“Ndryshimi i akcizës do të ketë efekt vit pas viti dhe efekti do të shtrihet deri në vitin 2017 në mënyrë të përshkallëzuar”, shtoi ministri i Shëndetësisë.
Rritja e taksave për duhanin ka qenë sporti më i preferuar i qeverive vitet e fundit. Aktualisht, në çmimin e një pakete më shumë se 60 për qind shkon si taksë për buxhetin, një politikë kjo që sipas qeverisë ka ulur konsumin e duhanit.
Ndonëse, për disa ekspertë rëndimi i taksave më shumë se uljen e konsumit ka nxitur kontrabandën e cigareve.
Top Channel