FMN jep shifrat për Shqipërinë, ja sa pritet të rritet ekonomia dhe në çfarë niveli parashikohet të jetë inflacioni Sistemi energjitik në vend po përballet me dy gropa financiare, të shkaktuara, e para si pasojë e nivelit të lartë të humbjeve në rrjet dhe, e dyta, sipas Ministrisë së Energjitikës, për shkak të politikave të ndjekura nga qeveria e mëparshme me koncesionet e HEC-eve.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Energjisë, mesatarja e humbjeve për vitin 2014 llogaritet në rreth 40%, gjysma e së cilës vjen si pasojë e rrjetit të amortizuar. Ndërsa gjysma tjetër llogaritet si humbje joteknike për shkak të vjedhjes së energjisë, duke i shkaktuar qeverisë një gropë financiare vjetore që, në total, kap shifrën e 150 mln dollarëve.
Kjo shumë, që për vitin 2013 ishte 180 mln dollarë, për shkak se niveli i humbjeve ishte më i lartë, përballohet nga buxheti i shtetit dhe jo drejtpërdrejt nga tarifa e energjisë. Por, hendeku financiar rëndohet më tej si pasojë e detyrimit të Koorporatës Elektroenergjitike Shqiptare për të blerë energjinë e prodhuar nga HEC-et e dhëna me koncesion, me çmim te rregulluar, më të lartë se ai i importit.
Kështu, nga viti 2012 në vitin 2013, si rezultat i sasisë së energjisë së blerë nga HEC-et aktualisht në funksion, kosto totale e KESH, e pareflektuar në çmimin e rregulluar të shitjes prej 2.2 lekësh për kW/h, kap shifrën e 32.6 mln eurove.
Ndërsa për vitin 2014, kjo kosto llogaritet në shifrën 39.7 mln euro. Hendeku financiar shkon në rritje në vitet në vazhdim, edhe si pasojë e hyrjes në funksion të HEC-eve të tjera, duke çuar koston për vitin 2019 deri në 80.8 mln euro.
Për zbutjen e gropës së parë financiare, qeveria pritet të shfrytëzojë kredinë e marrë nga Banka Botërore prej 150 mln dollarësh, në mënyrë që brenda pak vitesh të mund të reduktojë humbjet teknike dhe joteknike.
Ndërsa për gropën e dytë financiare, zgjidhja do të kërkohet përmes balancës mes uljes së çmimit, me të cilën KESH blen energjinë nga HEC-et private, ose rritjes së çmimit, me të cilën Koorporata ia shet Operatorit të Shpërndarjes, çka nuk do ishte e preferueshme pasi do të çonte në rritjen e tarifës për konsumatorët.
Ministria e Energjisë thotë se zgjidhja afatgjatë është liberalizimi i tregut dhe shkëputja e Koorporatës nga detyrimi për të blerë energjinë e HEC-eve private, që në total llogariten në rreth 400 koncesione të dhëna.
Top Channel