Masat për sigurinë në shkolla

10/09/2014 00:00

Kur kanë mbetur edhe pak ditë nga fillimi i vitit të ri shkollor, prefekti i Tiranës, Sadi Vorbsi, i ka kërkuar drejtorit të Policisë së Tiranës, Ardian Cipës, të merren masa për të garantuar sigurinë e nxënësve e cila cënohet për shkak të zënkave ndërmjet tyre.

Nga ana tjetër të garantohet siguria rrugore, por dhe reduktimi i trafikut që ka nisur të krijohet në rrugët e kryeqyetit.

“Shpesh dëgjojmë për zënka adoleshentësh në ambiente shkollash, të cilat në shumë raste rrezikojnë jetën e nxënësve. Dua të përmend rastin e shkollës së Kasharit dhe raste të tjera që duhet të na vënë në alarm”, theksoi prefekti i Tiranës.

I angazhuar për mbarëvajtjen e procesit mësimor, përsa i përket sigurisë, drejtori i Policisë së Tiranës, Ardian Cipa tha se ka një plan konkret që parashikon jo vetëm shtimin e shërbimeve policore që patrullojnë pranë institucioneve arsimore, por dhe për kujdesin ndaj konsumit të lëndëve narkotike nga nxënësit e shkollave, për të cilat paralajmëron mbylljen e subjekteve tregtare që janë hapur pranë tyre.

“Do të merren masa në kufizimin e parkimit, qëndrimit dhe lëvizjes së automjeteve në segmentet rrugore të caktuara pranë shkollave si dhe do të merren të gjitha masat ndëshkuese për mjetet që parkojnë pranë institucioneve arsimore. Mbyllja dhe largimi i ambienteve të tregtisë pranë institucioneve arsimore në bashkëpunim të plotë me këto institucione, lokale apo ambiente tregtie të cilat tregtojnë pije alkoolike dhe në disa raste edhe lëndë narkotike”, tha Cipa.

Drejtoresha e Drejtorisë Arsimore theksoi se kërkohet një bashkëpunim i ngushtë ndërmjet të gjithë aktorëve për të siguruar cilësinë e procesit mësimor. Të pranishëm në këtë takim ishin edhe drejtues të shkollave të Tiranës.

Top Channel