Ekonomia, vijon rënia e besimit/ Nga industria te ndërtimi dhe shërbimet pesimiste, konsumatorët mbeten të pasigurt Kur sektori i ndërtimit është shndërruar në një magazinë apartamentesh të mbetura stok si pasojë e uljes drastike të kërkesës për blerje, kompanitë e ndërtimit i kërkojnë qeverisë të përfshihen në realizimin e veprave të rëndësishme publike në vend, si e vetmja rrugë për të dalë nga kriza.
Në një takim me ministrin e Infrastrukturës Edmond Haxhinasto, kompanitë e ndërtimit thonë se janë rreth 10 mijë të punësuar në këtë sektor për të cilët duhet ulur efekti negativ që ka sjellë goditja disa vjeçare e krizës në ndërtim.
“Ndërtuesit shqiptarë në bashkëpunim me financuesit e projekteve t’i realizojnë ato së bashku në mënyrë që paratë të mbeten në Shqipëri. Kemi nevojë për vepra të mëdha”, theksoi ministri.
Ndërsa Artan Dulaku, kryetar i Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, deklaroi: “Tregu i banesave ka ardhur në zhvillimin e fundëm. Perspektiva më afatgjatë mbetet partneriteti publik-privat për realizimin e veprave.”
Ministri Haxhinasto u kërkoi kompanive të ndërtimit cilësi të lartë në realizimin e projekteve, ndërsa paralajmëroi penalizim për ato kompani që nuk realizojnë punime sipas standardeve europiane.
Top Channel