Ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, ka inspektuar punimet për rikonstruksionin e shkollës së mesme profesionale, “Hysen Çela”, nga ku i bën thirrje prindërve të orientojnë fëmijët e tyre drejt zanateve, që përputhen me kërkesat e tregut dhe që kanë të sigurt një punë.

Në këtë shkollë, për herë të parë ofrohet dhe dega e peshkimit për arsye se në Durrës ka një përqendrim të madh të kësaj industrie.

“Dua që ta përdor këtë mundësi për të ftuar të gjithë prindërit durrsakë dhe për t’i informuar që ka mbaruar histeria e universiteteve që janë mbyllur dhe që nuk i ofronin punë askujt. Sot kërkesat e zyrave të punës janë për arsim profesional, për njerëz që kanë mbaruar për hoteleri-turizëm, dizajne dhe konfeksion, ekzaktësisht drejtimet që ofron shkolla “Hysen Çela” në Durrës. Durrësi ka një potencial fantastik, siç tregoi edhe kjo verë, për hoteleri-turizëm e kush më mirë se kjo shkollë do të mund të përgatisë të ardhmen e kësaj sipërmarrjeje në Durrës”, tha ministri Veliaj.

Sipas ministrit të Mirëqenies Sociale, në Durrës ka një zhvillim dhe në fushën e konfeksioneve, për të cilën vuri në dukje se mësohet vetëm një segment i punës së fasonëve, siç është qepja. Është e rëndësishme, tha ai, që investitorëve t’u ofrojmë edhe pjesën logjistike të dizajnit, stilimit dhe inxhinierisë tekstile.

Top Channel